France Football: Katari bleu votat e Botërorit 2022

loading...

8703

loading...
Gazeta prestigjioze franceze “France Football” hedh një “bombë” në ambientin mediatik dhe atë sportiv, duke rihapur sërish çështjen e caktimit të kandidaturës së Katarit për organizimin e Botërorit 2022. Një raport prej 20 faqesh publikohet në faqen e parë të gazetës, ku vihet theksi në blerjen e votave nga vendi i Lindjes së Mesme me autorë kryesorë të këtij krimi, FIFA-n, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Francën. Sipas shkrimit, francezi Michel Platini, president i UEFA-s, ishte një nga organizatorët e negociatave me Katarin, madje ai ka marrë pjesë edhe në një darkë mes ish presidentit të Francës, Nikolas Sarkozy e kryeministrit katariot.

Platini e konfirmon praninë në këtë darkë, por thekson se nuk ka pasur asnjë presion nga Sarkozy për të mbështetur Katarin. Vendimi për kandidaturën u mor në 2 Dhjetor 2010 ku Katari fitoi në dëm të SHBA-së, Australisë, Koresë së Jugut dhe Japonisë. Vendi me rreth 600 mijë banorë, grumbulloi 14 nga 22 votat e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv edhe pse oferta e Shteteve të Bashkuara konsiderohej si më e favorizuara. Kjo nuk është hera e parë që Katari vihet në shënjestër për këtë çështje. Disa muaj më parë, ish zv/presidenti i FIFA-s, Jack Warner e akuzoi vendin e Lindjes së Mesme për korruptimin e 4 anëtarëve te Komisionit me rreth 20 milionë Dollarë në këmbim të votës së tyre pro. Warner nuk u ndal me kaq pasi ai zbardhi edhe emrat e personave të dyshuar që ishin kamerunasi Issa Hayatou, argjentinasi Julio Grondona, guatemaliani Rafael Salguero dhe paraguaiani Leoz Nicolas.

Raporti i “France Fotball” që nxjerr në dritë fakte të reja, kërkon rihapjen e procesit për të caktuar një tjetër vend për organizimin e Kupës së Botës 2022.

loading...