Formula1, te Ferrari mbizotëron optimizmi

ferrari

Vendi i dytë i Alonso-s dhe ai i katërt i Massa-s në Çmimin e Madh të Australisë kanë kënaqur Ferrari-n dhe presidentin e tyre, Luca di Montezemolo. “Shpresëdhënësja F138 ka mbajtur premtimet, – ka deklaruar një ditë pas daljes së parë sezonale të “kokëkuqes”. – “Bëmë atë që prisnim, – vazhdoi ai, – një garë të mirë, kundrejt Red Bull-it dhe Vettel-it. Ata janë rivalët tanë më të fortë. Por, tani për tani duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”.

Objektivi i Ferrari-t përpara garës ishte ngjitja në pod dhe kjo është arritur me Fernando Alonso-n. “Kemi nisur kampionatin në një mënyrë pozitive, – shpjegon Montezemolo, – që psikologjikisht i bën mirë skuadrës: teknikëve, mekanikëve por edhe pilotëve. Ishte e rëndësishme ta nisnim mirë, gjë që viteve të fundit nuk ka ndodhur”.

Vendi i parë në klasifikimin e kontruktorëve, pas vetëm 1 gare, nuk e çorienton presidentin e Ferrari-t: “E dimë se duhet ta përmirësojmë më tej ‘kokëkuqen’, e cila nuk është më e shpejta. Por, të zhvillosh më tej një makinë që e ka nisur mirë, do të jetë më e lehtë”.

Ka fituar 30 herë në karrierë në Formula 1, e nuk është se impresionohet shumë nga përfundimi i një gare në pozicionin e dytë, megjithatë Fernando Alonso-s vendi i dytë në Cmimin e Madh të Australisë i duket si fitore. Makina e re ndryshon si nata me ditën, me makinën e vjetër komentoi 2 herë kampioni i botës, i cili vlerëson së tepërmi startin e sezonit nga ana e skuadrës Ferrari.

Gjithcka 31-vjecari spanjoll e lidh sërish me makinat Red Bull, të cilat sipas tij do të vijojnë të jenë të shpejta gjatë provave, por një gjë e tillë jo domosdoshmërisht përkthehet në fitore. Rasti më i fundit ishte vendi i tretë i Sebastian Vettel, në Melbourne dhe piloti asturian i gëzohet pikërisht një fakti të tillë. Mbyllja e garës përpara dy makinave Red Bull ngjan vërtet si fitore për ne komenton Alonso rezultatin e garës së parë të sezonit, gjithsesi piloti i Ferrari-t vazhdon t’i druhet shpejtësisë së makinave të ekipit austriak dhe është I vetëdijshëm për vështirësitë që e presin, duke filluar nga gara e ardhshme.

Në Cmimin e Madh të Malajzisë, paralajmëron piloti iberik kushtet klimaterike do të jenë shumë të ndryshueshme e temperaturat e larta sjellin dehidratim si dhe shumë lodhje te të gjithë pilotët, megjithatë në Sepang një punë mjaft të madhe do të kenë edhe pjesa tjetër e skuadrës, që duhet të kontrollojnë deri në detaje sforcimin në aspektin mekanik të dy njëvendësheve. Scuderia për momentin e shikon veten përpara ekipit Red Bull edhe në klasifikimin e konstruktorëve dhe kjo gjë e kënaq pa masë edhe vetë Stefano Domenicali-n.

Drejtuesi më I lartë I skuadrës është në unison me Alonso-n dhe 47-vjecari nga Imola është i kënaqur me shpejtësinë që tregoi Ferrari në Australi, pavarësisht synimit për ta përmirësuar ca më tepër në këtë drejtim, sidoqoftë Domenicali është realist dhe shpjegon se Kimmi Raikonen nuk e fitoi garën prej shpejtësisë por prej administrimit të mirë të gomave dhe kampionati i sivjetshëm sipas tij do të ofrojë shpesh situata të tilla, pasi konsumimi i shpejtë I tyre do të bëjë që në kryesim shpesh të ngjiten edhe pilotë të dorës së dytë.

Te skuadra e kuqe që të gjithë janë optimistë pasi Fernando Alonso që është njëkohësisht edhe fituesi i fundit në pistën e Sepang-ut, ka triumfuar plot 3 herë në Cmimin e Madh të Malajzisë, praktikisht po aq herë sa edhe Michael Schumacher, ndërsa përsa i përket konstruktorëve Ferrari është ekipi që numëron më shumë suksese në këtë cirkuit, teksa ia ka dalë të fitojë plot 6 nga 15 garat e zhvilluara deri më sot.