Flasin “porositësit”: Jemi në shtëpi, s’kemi bukë të hamë jo të paguajmë vrasësit e Artan Cukut

Pak momente më parë u mësua se policia kishte shpallur në kërkim dhe do të merrte në pyetje vëllezërit Bujar dhe Flori Daka, nga Tropoja, si porositësit e dyshuar të vrasjes së Artan Cukut.

Që policia ishte vënë në kërkim të dy personave të tjerë, për të cilët u tha se ishin bashkëpunëtorë të Mikel Shallarit, këtë e mësuam që ditën e djeshme, ndërsa sot, teksa vëllezërit Daka janë në kërkim nga uniformat blu, kanë komunikuar me mediat lehtësisht.

Ata kanë thënë për News 24 se nuk kanë lidhje me vrasjen e Artan Cukut, edhe pse vëllai i tyre, Agim Daka kishte vrarë veten në zyrën e ish-komisarit.

Nuk jam ndaluar dhe as nuk jam marrë në pyetje nga policia për këtë ngjarje. Si unë edhe vëllai jemi të lirë. S’kemi lidhje me atë vrasje. Kam qenë në burg në Zvicër por nuk e njohim Mikel Shallarin.

E kam parë vetëm në televizor. Nuk e dimë pse policia merret me ne. Unë për momentin jam në shtëpi duke kryer punime”, – ka thënë Bujar Daka.

Për televizionin ka folur edhe babai i Flori dhe Bujar Dakës, i cili ka mohuar kategorikisht lidhjen me këtë vrasje.

Ne s’kemi lidhje me atë vrasje. Jemi në vështirësi ekonomike e s’kemi para për të paguar vrasës”, – ka thënë Prel Daka.