Flamuri shqiptar në tunelin zviceran – jo provokim, por gëzim për mbijetesën

Pas publikimit dy ditë më parë të flamurit shqiptar me rastin e hapjes së tunelit në Ceneri, në disa media zvicerane dhe në forume të ndryshme të medieve sociale pati një debat mjaft të gjallë, pro et contra.
Një pjesë e debatuesve ishin të indinjuar për atë se “çfarë kërkon një flamur shqiptar në tunelin zviceran”. Për më tepër kur ky flamur del mbi atë të Zvicrës, i cili po ashtu është valëvitur me atë rast.

Por, gazeta “Aargauer Zeitung” ka një përgjigje racionale lidhur me këtë paraqitje që bëri kaq shumë bujë.

“Sa herë që në Zvicër ndërtohet (hapet) një tunel, shumica e punëtorëve janë të huaj. Pastaj, puna në tunel është gjithnjë e lidhur me rreziqe për jetën. Kështu, ata që ngrenë flamurin shqiptar të mërkurën në Ceneri, me këtë akt kanë shfaqur gëzimin se ia kanë dalë të mbijetojnë. Sepse, mbijetesa në ndërtimin e veprave të tilla komplekse nuk është diçka e nënkuptueshme. Gjatë punës në këtë tunel, fatkeqësisht kanë humbur jetën dy punëtorë”, thekson gazeta, transmeton albinfo.ch.

“Megjithatë, disa zviceranë autoktonë (Eidgenossen) janë ndjerë të provokuar dhe kanë folur, shkruar duke u dhënë liri instinkteve të tyre të ulëta”, thuhet në artikull.

Por, tërheq vërejtjen gazeta, “të gjithë patriotët e mirë do të duhej që më parë ta shtrojnë pyetjen përse nuk ka më shumë minatorë vendës, të cilët mandej do ta valëvisnin flamurin e Zvicrës ose atë të Tesinës në hapje të tunelit? Ka mundësi se punën në pluhur dhe në errësirë ‘nuk na e bart mideja jonë e butë helvetike’. Ku ta dish. Ka mundësi që pagesa të jetë bazë e ulët”.

Por, fenomeni që këtu, në Zvicër tunelet i shpojnë kryesisht të huajt, nuk është i ri. Rreth 1300 italianë patën festuar më 29 maj 1902 me rastin e shpërthimit të tunelit në Albula të hekurudhës “Rättische Bahn”. Mbi të gjitha ata po festonin faktin se kishin mbijetuar një vepër e cila u kishte marrë jetën 16 shokëve të tyre të punës. Në stacionin hekurudhor në Preda është vendosur një gur memorial për viktimat.
flamuri-640x358