Fjalët e fundit përgjëruese të gjyqtarjes ndaj ish-bashkëshortit pasi t’i shtinte me gjakftohtësi dy plumba në kokë

Një ditë pas vrasjes së gjyqtares Fildeze Hafizi, policia dhe prokuroria kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen që tronditi banorët e kryeqytetit dhe jo vetëm. Burime zyrtare pranë grupit hetimor dje bënë me dije se si u zbulua dhe u arrestua autori i krimit. Mësohet se Fadil Kasemi, pasi ekzekutoi ish-bashkëshorten, u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes me një furgon mallrash. Sipas hetuesve të çështjes, 53-vjeçari i ka vënë pistoletën në kokë drejtuesit të mjetit dhe e ka urdhëruar ta çojë në periferi të Tiranës. Në atë moment, shoferi ka lëvizur me automjetin e tij dhe sapo ka hasur patrullën e policisë, ka zbritur dhe u ka thënë bluve: “Kapeni personin që kam në makinë, mund të jetë vrasësi”. Ndërkohë, burimet e mësipërme pohuan se kanë qenë 4 persona që kishin parë skenën e ngjarjes. Ata janë shoqëruar në polici për të dëshmuar dhe për t’u pyetur nëse ndonjëri prej tyre kishte mundur ta njihte autorin. Gjyqtarja Fildeze Hafizi u qëllua me dy plumba pistolete, njëri prej të cilëve e kapi në kokë, sapo hipi në makinën e saj.
Arrestimi

Policia e Tiranës duket se do ta kishte të vështirë identifikimin e autorit që qëlloi për vdekje gruan 39-vjeçare. Burime të sigurta pranë policisë thanë dje për “Gazeta Shqiptare” se edhe pse zona ku ndodhi ngjarja është tejet e mbipopulluar, asnjë prej bizneseve aty pranë nuk kishin kamera sigurie. Sipas tyre, ngjarja do të kishte qenë e vështirë për t’u zbardhur në kohë rekord, nëse autori nuk do të tentonte që të largohej me një mjet që gjendej rastësisht i parkuar në vendin e ngjarjes. 53-vjeçari kishte të paktën një orë që priste ish-të shoqen të dilte nga parukeria dhe sapo e pa atë të hipte në makinë, iu afrua tek xhami. 39-vjeçaria, e frikësuar nga prezenca e tij ka tentuar të ndezë makinën e të largohej që aty, por veprimi i shpejtë i Fadil Kasemit nuk e la të ikte. Dëshmitarët okularë deklaruan në polici se autori u afrua gjakftohtë. Po sipas tyre, sapo ai nxori pistoletën, gruaja bërtiti duke i thënë: “Mos më merr në qafë”. 53-vjeçari pasi qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten u largua menjëherë prej aty për t’iu arratisur policisë. Prej andej, autori ka parë të parkuar një furgon mallrash dhe menjëherë ka hipur në të duke kërcënuar shoferin me pistoletë në kokë që të ecte dhe ta çonte në periferi të Tiranës. Sipas burimeve, drejtuesi i mjetit, i frikësuar nga kjo situatë ka ndezur makinën dhe pasi ka bërë disa metra rrugë, në afërsi të komisariatit nr.1 ka parë një patrullë policie. Ka hapur krahun dhe ka zbritur menjëherë dhe ju është drejtuar uniformave blu: “Kapeni personin që kam në makinë, ai ka armë me vete, mund të jetë vrasësi”. Pas kësaj, oficerët e policisë kanë bërë shoqërimin e tij, ku rezultoi të ishte autori i vrasjes së rëndë. Me vete iu gjet edhe arma e krimit. 53-vjeçarit i është bërë edhe testi i alkoolit, i cili ka rezultuar 0.045%. Gjithashtu, policia po bën verifikimet për të parë nëse në telefonin e të ndjerës ka pasur mesazhe apo biseda kërcënuese nga ish-burri. Ndërkaq, policia dyshon se viktima ka marrë kërcënime të vazhdueshme edhe gjatë kohës që ish-bashkëshorti ka qenë në qeli. Në pyetje pritet të merren edhe familjarët e të ndjerës, kurse pyetja e dy fëmijëve të saj do të bëhet në prani të psikologes.

Familjarët: Mendonim se gjërat ishin qetësuar

Fadil Kasemi refuzon të deklarojë dhe s’pranon avokat: Do flas në gjykatë

Edhe një ditë pasi Fadil Kasemi vrau në mënyrë mizore ish-bashkëshorten e tij, ka refuzuar të japë shpjegime për krimin. 53-vjeçari është shprehur për grupin hetimor se deklaratën e tij do ta bëjë në një moment të dytë, kur të dalë në gjykatë. “Do të flas në një moment tjetër, kur të dalë në gjykatë”, ka thënë ai për hetuesit dhe më pas ka “kyçur” gojën. Burime pranë policisë bënë dje me dije se oficerët e krimeve e kanë pyetur Kasemin, nëse ai kishte zgjedhur ndonjë avokat, por ai u është përgjigjur shkurt: “Jo, nuk e dua”. Mësohet se oficerët e policisë dhe prokurori i krimeve të rënda kanë tentuar ta marrin atë në pyetje, duke iu paraqitur me një avokat kryesisht, por sërish ai ka refuzuar të flasë. Ndërkaq, pritet që nesër i dyshuari për vrasjen e ish-bashkëshortes të dalë për masë sigurie para Gjykatës për Krime të Rënda, ku do të rrëfejë edhe motivet që e çoi të kryejë aktin e rëndë ndaj nënës së dy fëmijëve të tij. Tregtari Fadil Kasemi akuzohet për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare dhe rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm. Sakaq, burimet e lartëpërmendura bënë dje me dije se për të hedhur dritë për motivin e krimit, policia ka marrë në pyetje edhe disa prej familjarëve të autorit. Ata kanë pohuar se janë tronditur kur kishin marrë vesh se çfarë kishte ndodhur dhe se nuk e kishin menduar kurrë se do të ndodhte diçka e tillë. “U tronditëm kur e dëgjuam. Nuk e mendonim se kjo të arrinte deri këtu. Mendonim se gjërat ishin qetësuar”, kanë pohuara ata.

“Ishte një zonjë e përkushtuar”

Rrëfehet parukierja: Dezi erdhi bëri thonjtë, ja ç’bisedova me të

Dëgjova krismat. Në fillim mendova se nuk ishin të shtëna me armë. Por, kur dola në derë të shihja, u trondita. Pashë të gjakosur në makinë klienten time”. Kështu e nisi dje rrëfimin vajza që punonte në parukerinë përballë vendit ku u vra në mënyrë mizore gjyqtarja Fildeze Hafizi. E tronditur nga skena e rëndë, e reja e cila nuk deshi të identifikohej me emër tha se Dezi ishte kliente e saj dhe vetëm pak sekonda para ngjarjes kishte qenë aty. “Ishte kliente këtu. Erdhi bëri thonjtë. E dija që ishte banore këtu pranë, por asnjëherë nuk i kam ditur me detaje problemet që kishte pasur me të shoqin”, tha ajo. Ndërsa, përsa i përket momentit kur ndodhi ngjarja, vajza tha se nuk kishte parë gjë, pasi derën e sallonit të bukurisë e mbante të mbyllur. “Nuk e pash se si ndodhi ngjarja, sepse unë e mbyll gjithmonë derën kur punoj. Edhe kur Dezi doli që këtu, e mbylla sërish, sepse kisha njerëz. Vetëm kur pas disa sekondash dëgjova krismat. Kur dola në derë të shihja çfarë ishte dhe kur pashë atë lloj situate, u tmerrova. E përjetova shumë keq”, rrëfeu ajo. Po ashtu, vajza tregoi edhe për bisedën që kishte kryer me të përgjatë një ore. “E dija që ishte gjyqtare. Po flisnim për punën në përgjithësi. Ajo ishte një zonjë e vërtetë, e përkushtuar në profesionin e saj, për veten, për fëmijët dhe për familjen e saj”, përfundoi ajo.

Mësuesja e fëmijëve: Ishte nënë e kujdesshme

Mësuesja e njërit prej fëmijëve të gjyqtares tha se Fildezi ishte një nënë e kujdesshme dhe interesohej gjithnjë për fëmijët, ndërsa të atin nuk e kishte parë asnjëherë në shkollë. “E tmerrshme, kam mbetur pa fjalë, gjithë shoqëria duhet të jetë e ndjeshme, shumë e ndjeshme, shteti duhet të vërë dorë. Janë ngjarje që ndjekin njëra-tjetrën nuk është ngjarja e vetme, e shkëputur. Nuk mund të themi se është rastësi, është e tmerrshme, ngushëllime fëmijëve të zonjës, unë i dua shumë se i kam pasur nxënësit e mi. Ngushëllime, është e tmerrshme, rrënqethëse e paimagjinueshme, nuk kam fjalë. Fildezi ka qenë zonjë e nderuar, nënë shembullore, nuk e di si ka qenë si profesioniste, por ka qenë nënë shembullore dhe fëmijët e saj janë shembullorë, babain e fëmijëve nuk e njoh”, tha dje mësuesja./gsh