Filloi nënshkrimi i peticionit kundër Amnistisë

Në orën 11:55, në Sheshin “Nënë Tereza”, filloi nënshkrimi i peticionit kundër projektligjit për Amnisti, i cili pritet të miratohet në Kuvend të enjten.

Ky peticion është organizuar nga shoqëria civile, e cila fton të gjithë qytetarët që të votojnë kundër këtij Ligji nëse janë të pakënaqur me këtë Ligj.

Ilir Deda nga Instituti KIPRED, ishte i pari që vuri nënshkrimin e tij kundër këtij Ligji. Sipas tij, peticione të tilla kanë filluar të nënshkruhen edhe në qendra të tjera të Kosovës dhe se ky peticion është i hapur për qytetarët që nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 8 të mbrëmjes,transmeton zeri.

“Dua të ju them edhe diçka shumë me rëndësi. Përkushtimi i njerëzve në Qeveri dhe në Kuvend për ta amnistuar vetveten është shumë i lartë, por ne do e tregojmë përkushtimin e qytetarëve që të mos lejojmë që vendi jonë të bëhet vend i kriminelëve, vend i hajnisë, vend i keqpërdoruesve të cilët, në vend se të merren gjykatat me ta, ata duan ta lirojnë vetën”, ka deklaruar Deda.

Ai kërkoi që të krijohet një grup i veçantë për ta përpiluar këtë Ligj, një grup të ekspertëve të huaj, vendorë dhe të shoqërisë civile, për siç ka deklaruar Deda, krijimin e Ligjit të Amnistisë ashtu “çfarë i duhet Kosovës”.

“Nuk mund t’i mbyllim sytë në këtë moment ku me shpejtësi marramendëse njerëzit duan ta shpëtojnë keqpërdorimin e vet, ta falin keqpërdorimin e vet e ne të shohim se çka do të ndodhë dhe të mos ketë më vend për një luftë për një Kosovë më të mirë të cilën të gjithë ne e bëjmë së bashku. Dhe të mos harrojmë se për 14 vite, shumica e qytetarëve të Kosovës kanë jetuar ndershëm, kanë respektuar Ligjin, kanë paguar tatim, nuk kanë keqpërdorur edhe në këtë mënyrë nuk mund t’ia lejojmë vetës që një grup prej disa qindra njerëzve në politikë ta kriminalizojnë vendin tonë”, është shprehur Deda./LajmeOnline/