FIFA ndalon duhanin në stadiume

images

FIFA ka njoftuar për ndalimin e pirjes së duhanit në tribuna gjatë ndeshjeve të Kupës së Konfederatave dhe Kampionatin botëror vitin e ardhshëm, gara këto që të dyja do të zhvillohen në Brazil.

“Do të jenë gara pa duhan. Ne jemi të vetëdijshëm se konsumimi i duhanit mund t’i shkaktojë dëme njerëzve në stadium. Nuk do të lejohet pirja e duhanit brenda stadiumeve në Kupën e Konfederatave dhe Kampionatin botëror”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i FIFA-së, Jerome Valcke gjatë një konference për shtyp në Rio.

Ai shtoi se: “Nuk ka asgjë më të keqe se të uleni në stadium afër një personi që konsumon duhan dhe i gjithë tymi përfundon në fytyrën tuaj”. Valcke njoftoi se gjashtë stadiumet që do të përdoren për Kupën e Konfederatave dhe dy prej të cilëve do të shfrytëzohen edhe për Kampionatin botëror do të kenë të caktuar hapësirën ku do të jetë i lejuar konsumimi i duhanit.

“Duhanpirësit nuk do të mbeten pa hapësirë për të ndezur cigare gjatë pushimit. Ata do ta kenë vendin e tyre”, theksoi Valcke. FIFA ka njoftuar se kjo nuk do të jetë hera e parë që ndeshjet zhvillohen në një ambient ku është i ndaluar duhani pasi edhe të gjitha takimet e Kampionatit botëror 2002 janë zhvilluar në “stadiume pa duhan”.