Ferizaj, mashtruesit u premtojnë banesa sociale të rreme

loading...

f1_14-rangimi1363279088

loading...
Ferizaj, 14 mars – Në kohën kur Komisioni komunal për ndarjen e 52 banesave sociale për kategoritë sociale të qytetarëve po i pranon aplikacionet, këta të fundit janë bërë cak i mashtruesve. Policia në Ferizaj ka raportuar për dy raste të veprës penale, kur qytetarët janë mashtruar nga keqpërdoruesit me bindjen se ata do të “renditen” më lartë në listë për të gëzuar të drejtën për banesë.

“Rasti i parë është raportuar para tre ditëve, kur viktima F.R. ka denoncuar një person, i cili e ka mashtruar duke i premtuar se do t’i ndihmojë asaj për ta renditur më lartë në listë për marrje të banesës”, ka bërë të ditur zëdhënësi rajonal i PK-së, togeri Agim Gashi, njofton Koha Ditore. Për këtë “shërbim”, i dyshuari i kishte marrë viktimës hiç më pak se 500 euro dhe prej asaj dite nuk iu kishte lajmëruar më.

Ndërkaq, rasti i dytë është raportuar në polici të mërkurën, kur viktima F.C., 39 vjeçare, gjatë rregullimit të dokumenteve për aplikim për banesë, i ishte paraqitur një person dhe i kishte ofruar shërbim për t’ia rregulluar dokumentet. Po ashtu, ai i kishte premtuar se do ta ndihmojë që e ajo të rangohet e para në listë për marrje të banesës dhe për këtë nga viktima kishte marrë 830 euro, ka sqaruar togeri Gashi.

Për rastin e fundit është arrestuar i dyshimti F.RR., 40 vjeç, dhe ndaj tij është duke u kompletuar lënda për Gjykatën kompetente.

Policia ka apeluar tek qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos bien viktima të mashtruesve të ndryshëm dhe të lajmërojnë menjëherë policinë nëse ndokush iu ofron kësi lloj shërbimesh.

Në anën tjetër Komisioni komunal për ndarjen e banesave nuk ishte i informuar për këtë formë të mashtrimit. “Nuk kemi informacione të tilla, por ato i dënojmë ashpër dhe kjo është lojë me dinjitetin e kësaj kategorie, andaj edhe ne u bëjmë ftesë të gjithë qytetarëve të interesuar për të konkurruar për banesat sociale dhe adresë e vetme për çdo informacion dhe për çdo ndihmë është komisioni, kurse për rangimin e tyre do të vendosin mbi bazë të kritereve për të cilat jemi zotuar se do t’i respektojmë deri në fund”, tha për gazetën Koha Ditore Xhevdet Sahiti, anëtar i këtij komisioni komunal të Ferizajt.

loading...