Ferguson: Ronaldo do të jetë kërcënimi kryesor për skuadrën tonë

ferg-ro

Trajneri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, evidentoi Cristiano Ronaldon si rrezikun më të madh, në prag të ballafaqimit të së martës në “Old Trafford” me Realin e Madridit.

“Kur luajtëm herën e fundit me Ronaldon, ne kishim Cristianon, ndërsa ata një Ronaldo tjetër, atë të shëndoshin. Por, nuk kishte krahasim, pasi ndërsa Ronaldo ishte pranë kulmit, ‘Fenomeni’ afër fundit të karrierës. Pa dyshim, Cristiano do të jetë kërcënimi kryesor për skuadrën tonë, është i fortë, jashtëzakonisht i shpejtë, godet me të dyja këmbët dhe është i mirë në luftën ajrore”, deklaroi Ferguson.

Përsa i përket natyrës së këtij ballafaqimi, në të cilin Manchester United duket se ka një avantazh të vogël pas barazimit 1-1 në fushë kundërshtare, skocezi shtoi: “Cilësia e lojtarëve që do të zbresin në fushë do të jetë e jashtëzakonshme, prandaj pres shumë gola. Reali është shumë i aftë në kundërsulm dhe në këtë fazë duhet të bëjmë sa më shumë kujdes. Kur përgatit një ndeshje si kjo, nuk mund të mbahen parasysh cilësitë e kundërshtarit, por vetëm shfrytëzimi sa më i mirë i armëve tona”.

I pyetur për ambicien e deklaruar të Mourinhos për ta zëvendësuar në stolin e klubit të “Old Trafford”, 71-vjeçari tha: “Mourinho më i miri për të më zëvendësuar? Nuk e di, në këtë moment jam tërësisht i përfshirë në punën time dhe nuk e di se kur do të tërhiqem. Nuk e di për ata që flasin për të ardhmen time, por e vetmja gjë që kam të qartë është se nuk kam as dëshirën më të vogël për t’u larguar për momentin”.