Ferguson i pakënaqur me vendimet e Federatës që favorizojnë Cityn dhe Liverpool

loading...

ferguson1

loading...
Trajneri i Manchester United, Sir.Aleks Ferguson, ka qenë i pakënaqur me vendimet e dhëna nga Federata Angleze e Futbollit që favorizojnë Manchester Cityn dhe Liverpoolin. Institucioni numër një i futbollit ia hoqi kartonin e kuq mbrojtësit Vinsent Company, të cilin e mori në takimin ndaj Arsenalit, ndërsa nuk dënoi sulmuesin e të kuqve Luis Suarez, edhe pse ky i fundit e pranoi se kishte simuluar për të marrë penallti.

Tekniku skocez e ka paralajmëruar federatën se tashmë do të ketë një numër të madh kërkesash nga ana e klubeve angleze, të cilat do të apelojnë për të hequr kartonët e marrë të lojtarëve të tyre. “Unë nuk dua që të flas shumë, pasi mund të akuzohem se do të ndikoj me fjalët e mia. Megjithatë tani dera është e hapur për të bërë apelime. Ky është një problem i federatës tashmë”, – tha trajneri i “djajve të kuq”. Kapiteni Vinsent Company u ndëshkua nga gjyqtari pasi ndërhyri keq me të dyja këmbët ndaj lojtarit të Arsenalit, Xhek Wilshere. “Duhet pasur shumë kujdes në të tilla vendime. Edhe ndaj nesh ka pasur vendime të diskutuara, por ai nuk është kthyer asnjëherë më pas”, – vazhdoi tekniku skocez. Compani u dënua me tri ndeshje për ndërhyrjen e tij, por pas apelimit të Cityt do të rikthehet të luajë ndeshjen e ardhshme.

Federata angleze vendosi që të mos e dënojë Luis Suarezin, pavarësisht se sulmuesi i Liverpoolit e pranoi se ishte hedhur vetë në tentativë për të fituar një penallti ndaj Stok Cityt. Arbitri i ndeshjes nuk e ndëshkoi lojtarin me karton dhe as nuk shkroi për këtë episod në relacionin e tij pas takimit. Në 2011 edhe Theu Wollkot nuk u dënua, pavarësisht se e pranoi që kishte simuluar. Por tani këto dy raste kthehen në precedent. “Nëse faktet janë dhe nuk merren masa, atëherë kjo rrezikon që ta bëjë simulimin diçka të pranueshme nga ana e lojtarëve. Kjo është diçka shumë e keqe”, – theksoi Fergusoni, i cili shtoi se është e çuditshme që disa lojtarë të ekipeve të caktuara përfitojnë nga të tilla vendime.

Ndërkohë që trajneri i të kuqve, Brendan Rodxhers, e kritikoi uruguaianin për deklaratën e bërë: “Është diçka e gabuar që të thuash ato çka ai tha. Nuk ishte e pranueshme. Ne i kemi mbajtur brenda grupit shqetësimet, por simulimet ne nuk i mbështesim”.

loading...