Fatos Klosi: Disponoj detaje tronditëse për vrasjen e Azem Hajdarit, ja si i ndihmoi Sali Berisha vrasësit

loading...


Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, në një prononcim për gazetën “Sot”, ka deklaruar se disponon fakte të reja tronditëse për rrethanat dhe personazhet e implikuar në vrasjen e Azem Hajdarit, e konsideruar edhe si vrasja e shekullit.
16 vjet pas vrasjes së Azem Hajdarit, Fatos Klosi pohon se di detaje të reja rreth vrasjes, që mund t’i shërbejnë prokurorisë dhe gjykatës për të rihapur dosjen. Në cilësinë e ish-kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Klosi pohon se Sali Berisha ka ndihmuar atentatorët e Azem Hajdarit për të realizuar qëllimin e tyre. Ndër të tjera, Klosi tha se vrasja e Azem Hajdarit mund të ishte parandaluar, pasi ai ka qenë në dijeni të atentatit. “Vrasja e Azem Hajdarit mund të parandalohej dhe u bënë përpjekje për ta parandaluar. Azemi u paralajmërua që grupe të caktuara se do t‘i bënin atentat dhe faktikisht atij iu bë atentati. Por, qarqet e vogla u ndihmuan nga qarqe më të mëdha të cilat më pas vranë Azem Hajdarin. Gjërat merrem me mend se kush kishte interes për ta vrarë Azemin. Dhe interesin e kishte opozita. Tani se kush e vrau, për këtë u zhvilluan gjyqe dhe gjykata vendosi burg përjetë për disa persona. Është premtuar se kur të vinte në pozitë, opozita e atëhershme do të rihapte dosjen dhe do të zbulonte se kush e vrau Azem Hajdarin. Por vendimi i asaj gjykate, me sa duket i ka vënë kapak kësaj çështje. Unë di detaje të tjera të rënda, por nuk mund të flas, pasi kjo do t’i shërbente gjykatës. Merret me mend se kush e vrau dhe të gjithë e dinë këtë gjë. Berisha ka qenë ndihmës për ata që vranë Azem Hajdarin”, deklaroi Klosi.

Materialet

Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, ka theksuar se ekzistojnë materiale rreth vrasjes së Azem Hajdarit. “Ka një material të klasifikuar e përfundimtar që ndodhet ende në arkivat e SHISH e Ministrisë së Brendshme, por jo vetëm aty, që përshkruan me emër pjesën më të madhe të autorëve të atentatit, planifikimin e lëvizjeve të tyre në drejtim të Tiranës dhe lëvizjet e tyre nëpër Tiranë, pikat e kontaktit e kështu me radhë. Është një material tepër i rezervuar që u vu dhe në dispozicion të prokurorisë kur hetoi vrasjen. Fatkeqësisht ndodhi ashtu siç e kishim paralajmëruar. Ne dinim që më parë se në shtator po përgatitej të bëheshin trazira në Shqipëri duke filluar nga Shkodra e për të përfunduar në Tiranë. Vrasja e Azemit e përshpejtoi këtë skenar”, ka deklaruar ai.

Atentatet ndaj Azem Hajdarit

Tentativa e parë për të vrarë Azem Hajdarin ka nisur më 18 Shtator 1997, kur deputeti i ndjerë u godit në Parlamentin Shqiptar me pesë plumba prej deputetit socialist, Gafurr Mazreku. Deputeti Hajdari shpëtoi edhe pse kishte marrë pesë plumba në trup. Kurthi i klikës në pushtet kishte llogaritur vdekjen e tij. Më 14 Shkurt 1998, forca të shumta policore e rrethojnë Azem Hajdarin në Urën e Milotit, qëllojnë mbi makinën e Azem Hajdarit, ku ishte edhe djali i tij për ta eliminuar. Por edhe ky kurth dështoi. Hajdari mbijetoi. Më pas policia arrestoi disa dhjetëra persona duke i akuzuar pa asnjë provë apo fakt. Ky proces kundër këtyre të arrestuarve nuk ka mbaruar edhe sot e kësaj dite. Ndër të arrestuarit e kësaj ngjarje nga klika në pushtet qe edhe ish-ministri i Brendshëm Ali Kazazi. Më 4 Qershor 1998, Azem Hajdarit i organizohet pritë në qytetin e Bajram Currit. Dhjetëra plumba derdhen mbi makinën e tij. Në këtë pritë mbetet i plagosur gazetari Bardhyl Pollo. Më 12 Shtator 1998, një tjetër pritë i merr jetën.

Të akuzuarit për vrasjen e Azem Hajdarit

Për vrasjen e deputetit Hajdari u akuzuan Jaho Mulosmani si dhe tre vëllezërit, Izet, Ismet dhe Isamedin Haxhia, njerëz që qëndronin shumë pranë kryeministrit Berisha dhe mbanin poste të rëndësishme. Ish-truproja i kryeministrit Sali Berisha, Izet Haxhia, sipas akuzës, telefonoi Hajdarin dhe e nxori nga zyra e tij, ku dhjetë minuta më pas e ekzekutuan në pritë. Në një proces gjyqësor maratonë u cilësuan fajtorë Mulosmani, i cili u dënua përjetë, si dhe dy vëllezërit Izet e Ismet Haxhia që u dënuan përkatësisht me 25 dhe 20 vjet heqje lirie. I treti i vëllezërve Haxhia, Isamedini u dënua vetëm për “armëmbajtje pa leje”. Edhe pse dosja u mbyll me ndëshkimin e tre personave, asnjëherë nuk u tha motivi se përse u ekzekutua Azem Hajdari. Ndërkaq, u vërtetua se mbi deputetin kishte qëlluar me dorën e tij Fatmir Haklaj, i cili u vra më pas gjatë një atentati të mirëorganizuar. I vetmi që u shpall i pafajshëm ishte Fatmir Meta. Ai u lirua nga salla e gjyqit. Të dënuarit pretendojnë se janë të pafajshëm për vrasjen e cilësuar si krimi i shekullit, ndaj janë ankuar në Gjykatën e Strasburgut.
ah

loading...

loading...