Fatmiri e Zafiri aleancë për ta mposhtur PDK-në

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj dhe kryetari i Bashkimit Demokratik Zafir Berisha, janë bërë bashkë në Prizren, nga ku kanë nisur bashkërendimin e aktiviteteve në prag të fushatë zgjedhore.
Limaj me këtë rast ka thënë se qëllimi i takimit është bashkimi i forcave në mënyrë që “ta kuptojnë të gjithë që Prizrenin e ka fituar kjo strukturë politike”.
Limaj ka thënë se Bashkimi Demokratik ka qënë ndër të parat subjekte politike që e ka kuptuar se në qytetin e Prizrenit diçka nuk është duke ecur mirë dhe nuk është duke u qeverisur drejt.
“Të bashkohemi dhe të shpalosim vizionin tonë të përbashkët të NISMËS për Kosovën dhe Bashkimit Demokratik që do të garojnë së bashku në zgjedhjet nacionale. Një bashkëpunim i ngushtë tani e tutje, si një trup i përbashkët dhe si një organizim politik i përbashkët në aktivitetin tonë pa dyshim se nuk do të mungojnë rezultatet”, ka thënë Limaj.
Kryetari i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha, tha se “ neve nuk na bashkon veç ngjyra e subjekteve politike por na bashkon bërja e shtetit të Kosovës”.
Ndërkaq, Jakup Krasniqi, tha se Nisma për Kosovën dhe Bashkimi Demokratik, do të ndalin politikat që nuk prodhojnë siguri dhe stabilite.