Falet gjaku, pas 18 vitesh hasmërie (Foto)

Pas plotë 18 vitesh, familja Bunjaku nga Samadrexha i fal gjakun familjes Rashica. Pajtimi mes këtyre dy familjeve është bërë sot në Vushtrri në praninë e 500 qytetarëve dhe përfaqësuesve të Këshillit të Pajtimit, raporton portali veriu.info.
Në këtë akt mjaft emocionues tek të gjithë të pranishmit, që përkoi edhe me 90 vjetorin e Epopesë së lavdishme të Arbërisë së vogël, kur u vra Azem Bejta, fjalën kryesore e mbajti Mehmet Rukiqi njëri prej anëtarëve të Këshillit të pajtimit. “Me këtë pajtim i është ndalë uji në mulli të armikut”, ka thënë Rukiqi.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku, përveç se ka çmuar lartë aktin heroik të familjes Bunjaku, i ka bërë thirrje familjes Rashica që tash e tutje ta çmoj dhe respektoj lartë familjen Bunjaku, e cila bëri këtë akt burrëror.

Nismëtar të këtij pajtimi ishin imami i “Xhamisë së Çarshisë”, Bedri Halili dhe Ukishin Beqiri.

Në nëntor 1996, kishte ndodhur një vrasje e rëndë ku familjes Bunjaku i ishte vrarë një djalë nga një person i familjes Rashica.