Fakte tronditëse, intervista e Gjebreas me Rrokun e realizuar para një viti


Fakte tronditëse dalin në pah dita-ditës kjo sa i takon intervistës së Ardit Gjebresë me Marjan Rrokun. Intervista e moderatorit Ardit Gjebrea me vrasësin Marjan Rroku është realizuar një vit më parë, në fillim të 2015-ës, por është zgjedhur të transmetohet vetëm tani, pak javë pasi ekzekutori i 16-vjeçares Alda Canaj dhe nënës së saj, bëri kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar dënimin me burgim të përjetshëm.

Kjo vihet re lehtësisht nga pjesëmarrja e ish-drejtorit të burgut të Fushë-Krujës në këtë intervistë. Arben Sulo shfaqet në një moment gjatë intervistës teksa futet në qeli në momentin që Rroku bisedonte me Gjebrean dhe e pyet atë nëse gjithçka shkon mirë.

Arben Sulo është liruar nga detyra si drejtor i burgut të Fushë-Krujës në 12 nëntor të vitit 2015, fakt i konfirmuar për “Shqiptarja.com” nga Ministria e Drejtësisë.

Intervista është realizuar para muajit shkurt, kjo pasi në këtë muaj, Arben Sulos iu bë atentat me tritol pranë portit të Durrësit, ku ai mbeti i plagosur rëndë, e për muaj me radhë deri në verën e 2015-ës mori mjekim të specializuar jashtë Shqipërisë.

Vetëm pak kohë më parë, në shkurt të 2016-ës, Marjan Rroku ju drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të shpallur antikushtetues vendimin me burgim të përjetshëm dhënë nga Shkalla e Parë, ndërsa Gjykata e Lartë nuk e mori në shqyrtim çështjen e tij. /albeu.com/
pac