Ermal Mamaqin e “mbysin femrat”…

loading...

764586bd-ec8b-4247-9454-4f638b61a9f1---0-

loading...
Riku, (Ermal Mamaqi) është një avokat divorcesh që ka probleme me impenjimin. Jeta e tij e qetë kthehet përmbys kur në jetën e tij nisin të hyjnë shumë femra që duket sikur kanë një qëllim, ta “fusin në kllapë” atë.

Ka ikur nga apartamenti “2XL”, por kjo nuk paska nënkuptuar që do t’i qëndrojë larg ekranit, por as humorit. Filmi i ri që po xhirohet ndërkohë premton të qeshura, një komedi të bukur e argëtuese, një nga ato që skenaristi i tij, Koloreto Cukali, e quan një film komercial të mirë. Ky është i njëjti grup pune që dy vjet të shkuara prodhoi sitcom-in “Radio-Radio”, i transmetuar në Digitalb. Cukali, regjisorja e filmit, Rudina Vojvoda dhe drejtori i fotografisë, Adam Pray, janë bërë sërish bashkë, kësaj here për një film indipendent, me buxhet të ulët, i titulluar “Femrat”. Detajet e projektit kanë qenë të përcaktuara qysh kur teksti hidhej në letër. Çdo personazhi i ishte vënë një emër aktori, ndërkohë që përveçse një produksion të mirë, producentët premtojnë edhe një yll të ri, të zbuluar në këtë film, protagonisten femër, Enxhi Cuku, e cila interpreton rolin e Adës. Filmi, xhirimet e të cilit do të zgjasin deri në fund të marsit, parashikon të prekë edhe tregun ballkanas, Italinë, por edhe Amerikën e Veriut. “Gjëja kryesore është që publiku i Shqipërisë ta shohë e ta pëlqejë filmin”, thotë skenaristi Cukali ndërsa tregon për këtë eksperiencë, të ndarë mes bashkëpunëtorësh të vjetër e aktorësh të njohur, por pa u hyrë diskutimeve serioze dhe të thella për kinemanë shqiptare.
Para se të shkojmë te lindja, dua të të flas për periudhën para lindjes. Gjëja që kam vënë re është se ne lëvrojmë shumë filmin autor, ndërsa nuk kemi filma komercialë të mirë. Kur them komercial, i referohem zhanrit. Këtu vijmë te nevoja për të “lindur” një film. Një film fillon gjithmonë me një skenar, dhe nuk besoj se ka një temë më intriguese sesa “Femrat”. Procesin e ngjizjes e të lindjes nuk po ta shpjegoj, se i ngjan atij të lindjes së një bebeje. “Femrat” është një film që tenton të eksplorojë marrëdhëniet mes meshkujve dhe femrave, përmes personazhit kryesor, Rikut (Ermal Mamaqi), i cili është një avokat divorcesh që ka probleme me impenjimin. Jeta e tij e qetë kthehet përmbys kur në jetën e tij nisin të hyjnë shumë femra që duket sikur kanë një qëllim, ta “fusin në kllapë” atë. Kjo është një komedi romantike, dhe në fund të filmit ne do të shohim që Riku sado i shmanget, nuk mundet t’i shpëtojë dashurisë që gjithmonë del aty ku nuk e kërkon.
-“Femrat” është një film me buxhet të vogël, pak i eksploruar në Shqipëri. Pse nuk provuat edhe ju të konkuroni për buxhete në institucionet shtetërore filmike, fjala vjen QKK? Ose të kërkoni bashkëproducentë?
Ky është një film indipendent, me buxhet të ulët. QKK me sa di unë nuk ka pasur ndonjë konkurs së fundmi, dhe ky është një film që duhej bërë tani. Meqë më përmende lindjen, nuk besoj se mund t’i kërkosh një gruaje ta shtyjë lindjen dhe nja 2 muaj të tjerë, sa të bëhet gati dhoma e bebit. Sa për bashkëproducentët, unë kam një bashkëproducent, Adam Pray (njëkohësisht dhe drejtor fotografie), i cili do të realizojë postproduksionin sikurse dhe ka mundësuar ardhjen e një drejtori tjetër fotografie dhe një mjeshtri zëri.
-Sa e vështirë është të realizosh një film të mirë në Shqipëri?
Po ja, shko në kinema, shih filmat shqiptarë, e nxirr një përfundim vetë. Ajo që mund të them është që këtu të tëra gjërat janë me pakicë, fondet janë me pakicë, talentet janë me pakicë, strukturat e filmit janë me pakicë, kinematë janë me pakicë… e vetmja gjë që kemi me shumicë janë historitë. Vendi ynë është një pus pa fund me histori shumë kinematografike.
-Po bashkëpunimi me Rudina Vojvodën? Është një bashkëpunim i ri, njohje e hershme, çfarë ju ka bindur t’ia besoni skenarin kësaj regjisoreje?
Me Rudinën dhe Adamin kemi bashkëpunuar që te sitcom-i Radio-Radio (2010, Digitalb). Pra, jemi ekip, e njohim punën e njëri-tjetrit. Shumë nga aktorët te “Femrat”, janë po ashtu aktorë që kemi punuar te Radio-Radio. Rudinën e njoh që në shkollë, dhe ajo është pika kyçe e projektit, pasi ka formim profesional amerikan në lidhje me filmin, por njeh shumë mirë edhe realitetin shqiptar, njerëzit, ngjarjet.
-Përzgjedhja e aktorëve është një proces i rëndësishëm për një film të mirë. Keni marrë pjesë në këtë përzgjedhje? Mbi ç’kritere është bërë?
Një pjesë të aktorëve i kam pasur në mendje që kur e kam shkruar filmin. Pra, e kam shkruar duke e ditur se kush mund ta luajë. Për fat, ambienti artistik te ne është i vogël, të tërë njohin të tërë, dhe nuk ishte e vështirë të gjeje kush mund të bënte çfarë. Problemi qëndronte tek impenjimet, marsi është muaj i ngjeshur me aktivitete dhe një pjesë nuk kishte mundësi fizike të na ndiqte në xhirime. Kastingu ka qenë veçanërisht i vështirë, sidomos për bashkë-protagonisten e Ermalit, vajzën që luan rolin e Adës. Më në fund them se kemi gjetur një yll të ri për ekranin, është Enxhi Cuku, që besoj se ka një talent të lindur dhe do të ecë larg në këtë fushë. Merita kryesore i shkon regjisores që pati besim të plotë tek ajo.
-Ku do të realizohen xhirimet dhe çfarë keni parashikuar për distribucionin e filmit?
Xhirimet po realizohen në Tiranë, deri në fund të marsit. Qëllimi ynë është që të ofrojmë diçka të mirë për publikun shqiptar. Gjëja kryesore është që publiku i Shqipërisë ta shohë e ta pëlqejë filmin. Besoj se do kemi distribucion të mirë në Ballkan, dhe shpresoj shumë që të mund të prekim dhe tregun italian. Kemi gjithashtu mundësi të mira për ta shpërndarë në Amerikën e Veriut.
-Ç’marrëdhënie keni me kinemanë tjetër? Për më tepër që ky është i pari film me metrazh të gjatë për ju?
Me kinemanë kam marrëdhënie sado-mazo. Ky është filmi im i parë artistik me metrazh të gjatë, pas disa filmave të shkurtër.
-Po kinematografia shqiptare sot? Ç’përshtypje keni për produksionet e post ’90-ës dhe sa e vërtetë është për ju përshtypja që filmat e mirë të viteve të fundit janë shumë shumë pak në raport me numrin e filmave të prodhuar?
Unë po bëj një film. Po bëj një film me miqtë e mi, dhe duam të bëjmë një gjë të mirë. Nuk dua të mendoj e as mund t’ju flas dot për këdo film tjetër.

loading...