Ergysi i BB4: Ju tregoj se kush është Anaidi

thumb (5)

Ish-konkurrent në “BB4” dhe mik i Anaidit, ai rrëfen se si e njeh atë.

 

Eksperienca e tij e mëparshme në “Big Brother 4” i jep mundësinë t’i shohë gjërat më mirë nga jashtë, aq më tepër kur në lojë ka hyrë miku i tij më i ngushtë, Anaid Kaloti. 25-vjeçari nga Shkodra, Ergys Bamçi, zbulon personalitetin e Anaidit, marrëdhënien e tij me femrat dhe arsyen pse e sheh Anaidin si fitues të këtij edicioni, ndonëse është ende herët për të folur për fitues.
Ergys, miku i ngushtë i Anaidit na tregoi javën e kaluar se keni qenë bashkë në degën e Gazetarisë. Sa të afërt keni qenë?
Anaidin e kam pasur në të njëjtën shkollë për 2 vjet, në Universitetin e Shkodrës, dega e Gazetarisë dhe Komunikimit. Kemi qenë shumë të afërt për shkak se na bashkonte të dyve mentaliteti i hapur, kultura e përgjithshme në marrëdhënie me njerëzit, fakti që kishim kohë që e kërkonim shkollën e lartë, dhe po ashtu të dy mysafirë të Shkodrës me studime, pasi vinim nga qytete të tjera.
Çfarë ju bashkonte në miqësinë tuaj, dhe a vazhdoni të jeni po aq miq?
Bisedat pa fund që bënim për jetën, shkollën, civilizimin, mundësitë e pakta që gjetëm në Shkodër në ato fillime, na bënim të kalonim shumë kohë bashkë. Për këtë arsye, ngaqë unë e kisha shtëpinë 50 metra larg Universitetit, ai vinte e jetonte te shtëpia ime. Të dy ishim tipa energjikë dhe natyra shumë të shoqërueshme, kështu krijuam një rreth shoqëror simpatik brenda një kohe të shkurtër. Herën e fundit që e kam takuar, ishte në Tiranë. Sapo ishte kthyer nga Spanja, dhe më tha vetëm: “Kam kalu mirë Gyso, por edhe jam sakrifiku. Na mungojnë mundësitë këtu”, thoshte.
Është natyrë pesimiste kështu Anaidi?
Jo, përkundrazi, është optimist.
Ti shquhesh për portretizime interesante të personave që ke për zemër, si do e përshkruaje personalitetin e tij?
Mendjehapur, i zgjuar dhe i sigurt, burrëror, njeri me diapazon të madh, i besueshëm, guximtar dhe modern, edhe pse e njeh mirë tradicionalen.
Por në një lojë si “Big Brother” jo të gjithë munden të shfaqen ashtu siç duan. E sheh në pozicionin e duhur për të triumfuar në këtë lojë?
Patjetër, madje mund të them që pretendent për të fituar është vetëm Anaidi. Këtë e them me bindje, pasi ai ka shpirt luftarak. Ka të gjithë çelësat shpirtërorë për jetën aty dhe bën çdo gjë për të arritur rezultatin që do.
Ti ke eksperiencën tënde në “BB”. Po në krahasim me lojtarët e tjerë si të duket?
Në “BB 6” është më i kompletuari, më i rrahuri me jetën, më mendjehapuri dhe organizatori i jetës aty. Është edhe shumë pozitiv e karizmatik, kjo gjë e karakterizon gjithmonë.
Është i dhënë pas parasë, janë ato qëllimi i tij kryesor në jetë?
Përpiqet… Por nuk e prish paraja atë.
Ndërkohë që ka krijuar një lidhje me Joanën, ka zgjedhur femrën e duhur për të aty brenda?
Në një farë mënyre edhe i shoh bashkë. Për aty në shtëpi mund të jetë njëra, që mund të lindë një histori. Nuk kam asgjë kundër Joanës, më pëlqen si vajzë, por për të qenë i sinqertë duhet t’i instalojë ca programe Anaidi Joanës, që të më bindë që ajo qëndron.
Zakonisht Anaidi është ai që i lë femrat apo janë ato që e lënë atë?
Nëse do të përgjigjesha me një fjali, Anaidi i lë femrat.
Meqenëse është cilësuar si djali që ka eksperienca në jetë, ka ai një memorie të fortë për t’i rrëfyer ato?
Memorie të fortë s’mund të them, por memorie të bollshme më saktë.
Është i apasionuar pas artit elitar apo atij komercial? Për shembull, cila është muzika që dëgjon?
Anaidi dëgjon muzikë shumë të bukur, se formimi muzikor zbukuron shpirtin.
Ti njeh ndonjë banor tjetër të “BB6”, dhe nëse jo, cilin do kishe pasur dëshirë të njihje?
Banor tjetër nuk njoh, por do doja të njihja Arsimin dhe Elonën.

 

KLOTILDA HARKA