ERE: Çmimi i energjisë për konsumatorët qëndron i njëjtë….

loading...

Çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët nuk do të ndryshojë. Burime zyrtare nga Enti Rregullator thanë se, edhe për gjashtëmujorin e dytë të vitit, tarifat për familjarët dhe biznesin do të mbeten këto që janë aktualisht.

Enti pritet ta zyrtarizojë vendimin në fund të muajit qershor. Por, edhe pse çmimi final i energjisë për konsumatorët nuk do të lëvizë, ERE pritet të ndryshojë tarifat që përfitojnë kompanitë publike KESH, OSHEE dhe OST.

OSHEE, OST dhe KESH, në garë për pjesën e luanit

Vitin e kaluar, çmimi mesatar i energjisë që paguan konsumatorët, sipas Entit Rregullator të Energjisë ishte 11.2 lekë për çdo kilovat. Nga kjo tarifë, KESH përfiton 3 lekë, OST përfiton 0.68 lekë për kilovat, ndërsa OSHEE merr rreth 7 lekë për kilovat/orë, duke përfshirë dhe kostot që kjo kompani paguan për importin.

Nga tarifa prej 3 lekësh që përfiton KESH, rreth 1.5 lekë janë shpërblim për blerjen e energjisë nga HEC-et private dhe importi. Nga 1 korriku të dy këto detyrime i kalojnë OSHEE-së. Por pavarësisht kësaj, KESH ka kërkuar që pjesa e saj e tarifës që përfiton të mbetet e pandryshuar në 3 lekë. OSHEE ka kërkuar që kjo pjesë e tarifës t’i kalojë asaj, meqë detyrimin për blerjen e energjisë nga HEC-et private do ta ketë kjo kompani.

Burime nga Enti thonë se kjo është çështja më e nxehtë në vendimin e ri për tarifat, i cili edhe këtë herë nuk do t’i ulë çmimet për konsumatorët, por do të prekë më shumë kompanitë publike.

11

loading...

loading...