Enveri është gjallë!

Passport.jpg1


Nuk keni përse habiteni! Diktatori më i egër i Europës pas Hitlerit vazhdon të jetë mes nesh. Enver Hoxha vdiq në 1985-n, por dishepujt e tij na i ka lënë dhuratë që Shqipëria të mos bëjë hajër edhe për ca vite të tjera. Është ai që e kam votuar në 3 palë zgjedhje parlamentare. Nuk bëhem pishman që e kam mbështetur dhe perbiles kam bërë propagandë tek të tjerët se është alternativa më e mirë për shqiptarët. Por vjen një ditë që zgjohesh dhe bën një check-up apo e thënë shqip “i thërret mendjes”. Ky person që i ke besuar verbërisht është vërtetë ai që pretendon se është?!

Një komunist me teserë partie, një i afërt i diktatorit që dilte i krekosur në foto dhe me buzën në gaz kur mijëra shqiptarë vriteshin dhe persekutoheshin, bëhet krejt papritmas shqiptari që e urren më shumë. As ata të burgosur politikë, ata burra që iu ekzekutuan familjet pa gjyq nuk e urrejnë kaq shumë! Unë e kuptoj që në 92-n kjo kartë kundër figurës së Enverit ishte fituese, por pas 24 vitesh demokraci kjo është kartë e djegur apo më keq akoma vetëvrasje politikë. Nuk ngjallet më Enveri dhe as nuk kthehet më epoka e tij diktatoriale. Kasapi i shqiptarëve per 41 vjet na la trashëgim ca dishepuj që edhe sot vazhdojnë të jenë në politikë.

Ca dishepuj që mendojnë se Populli është dele dhe duke i përmend emrin e ujkut(Enverit) do shkojnë të futen tek vatha e tij. Kryeministri nga Bunkeri anti-bërthamor lëshoi një deklaratë që trazoi ujërat në arenën e politikës: Do hapim dosjet. Unë personalisht jam pesimist, jo se s’do hapen dosjet, por se këta komunistë me dosje të përlyera qëndruan në politikë për 20 vite dhe arritën t’ia hiqnin njollën vetes së tyre. Megjithatë uroj të hapen në mënyrë që të paktën të mos shohim më nëpër ekrane ca anal-ista që na bëjnë si të ndershëm(Çiftelia, Notari etj). Më besoni miq, ngatërrestarët më të mëdhenj në këtë vend janë këta parazitë që paguhen një djall e gjysmë për të shpifur nga mëngjesi deri në darkë dhe askush deri më sot nuk iu ka thënë “Puna e mbarë”. Deri në 90-n spiunonin mbarë e prapë miletin dhe pas ardhjes së demokracisë shpikën profesionin e lirë “Anal-ist”. Për të mos folur për ca opinionistë të tjerë që shkojnë nga frynë era për të përfituar ndonjë post apo për të mos iu mbyll bizneset që kanë. Që të mos largohem nga tema për xhaxhin që “rron” akoma, dua t’i them atij që çirret nga mëngjesi deri në darkë se “Enverin po e ngjallin”: Rri i qetë se rinia e sotme nuk i ha më këto karamele Zana, se ajo epokë nuk kthehet më. Nuk kthehet më, por fatkeqësisht ata që ishin në Kupolë atëherë janë edhe sot. Pastaj, kur sulmon ata pensionistë me pankarta me foto të Enverit, harron që ishin aleatët e PD-së që i dhanë mandatin e kryebashkiakut Bashës. Shqiptarët janë në një hall të madh.

Varfëria e madhe, rritja e vogël ekonomike, rritja e mundshme e energjisë, rritja e karburantit etj, i ka çoroditur njerëzit dhe normale se jo të gjithë ia lejojnë vetes zyra luksoze, makina të shtrenjta apo vila në bregdet. Por shqiptarët hallin më të madh kanë mungesën e alternativës. Një milion votues nga 2.8 milionë banorë që jemi tkurrur së fundmi u lodhën nga gënjeshtrat si të Nastradinit dhe të nxorën në pension. Dhe tani nëse Rama nuk arrin të administrojë siç duhet krizën që i la paraardhësi dhuratë, votuesi duhet të zgjedhë një alternative tjetër. Por në anën tjetër është prapë ai që si në komunizëm si në demokraci qëndron po aty! Dhe për aq kohë sa ai komunist i shndërruar në demokrat të flaktë do jetë në PD(edhe pse gjoja në hije), zero shanse ka e Djathta të vijë në Pushtet. Sepse unë jam demokrat me bindje por s’dua të ricikloj për të katërtën herë në politikë një person edhe sikur të ishte njeriu më kristal në Botë. Dhe si unë ka shumë demokratë të tjerë që kanë bërë dhe do të bëjnë këtë zgjedhje të imponuar. Mjerë ai popull që ka mungesë alternative. Dhe për ta mbyllur dua t’i them politikës shqiptare që merrni shembull nga komunitetet tona fetare. Një mysliman shkon në kishë pa i vënë kushte priftit, ashtu si dhe një i krishterë shkon në xhami pa i vënë kushte hoxhës. Shqiptarë Ju, shqiptarë Ata, bëni një sforco për të mirën e Shqipërisë dhe bashkëpunoni që të shkojmë në Europë.

Shqiptarët i kanë harruar ndasitë politikë, krahinore, apo fetare kur flitej për të ardhmen e Atdheut. Nëse nuk e bëni do të jeni njolla e zezë e historisë ndër shekuj….