Enver Zymberi nuk u vra nga një snajper?

Kosovo Security

Aksioni i korrikut të vitit 2011 për shtrirjen e sovranitetit në veri të Kosovës nuk ishte realizuar bazuar në ndonjë plan paraprak, ashtu siç ishte thënë nga faktori politik në vend. Viktima e këtij aksioni, polici Enver Zymberi po ashtu nuk ishte vrarë nga snajper, por ishte vrarë nga plumbat e serbëve që më 26 korrik e kishin bllokuar rrugën, duke penguar depërtimin e policëve të njësisë speciale në pjesën veriore të vendit.

Të vërtetën mbi atë se çfarë ka ngjarë në ditën e 26 korrikut, e tregojnë deklaratat e policëve që ia kishin mësyrë portës 31 që lidh Kosovën me Serbinë. Policët që kanë qenë në vendin e ngjarjes, tashmë janë dëshmitarë, shkruan zëri. Në lidhje me atë çfarë ka ngjarë, ata kanë rrëfyer në prokurorinë e EULEX-it, e cila edhe po udhëheq hetimet në lidhje me vrasjen e policit Enver Zymberi në veri të Kosovës. Hetimet janë të pezulluara përkohësisht ngase asnjë nga gjashtë personat e kërkuar përkitazi me këtë ngjarje, nuk është arrestuar.

Deklaratat e policëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes në ditën kritike, përkatësisht të atyre që kanë qenë në veturë me Enver Zymberin kur ky i fundit është qëlluar për vdekje, tregojnë tërësisht të kundërtën e asaj që ishte thënë në kohën kur ka ngjarë aksioni.