Elbasan/ Dashi me 4 brirë i shpëton kurbanit, kjo është arsyeja e habitshme

Është një kafshë me shenjë dhe si e tillë ka privilegje të mëdha. Madje, aq shumë sa fati i saj është parashikuar edhe në urdhëresat profetike…

Bëhet fjalë për një dash në Elbasan. Një dash i veçantë që ka katër brirë. I zoti i kafshës, më banim në Gostimë, kishte planifikuar për ta bërë kurban me rastin e festës më 1 shtator. Por gjithçka ka ndryshuar në çastet e fundit. Një kafshë e tillë nuk mund të bëhet kurban. Dikush i ka kujtuar banorit se, urdhrat profetike në fenë islame parashikojnë disa rregulla për kafshët që ti nënshtrohen Kurbanit, transmeton “infoelbasani.al”.

Sipas këtyre urdhëresave lejohen të bëhen kurban lopët, devetë, dhentë dhe dhitë. Për të qene i vlefshëm kurbani duhet të plotësojë këto kushte: lopët duhet të jeni mbi 2 vjeçe, devetë më shumë se 5, dhentë më shumë se gjashtë muaj, ndërsa dhitë më shumë se 1 vit.

Gjithashtu rregullat sanksionojnë se nuk u nënshtrohen kurbanit kafshët me të meta, të verbra, të sëmura, të gjymtuara apo me defekte gjenetike.

Kështu dashi me katër brirë në Gostimë të Elbasanit nuk mund të bëhet kurban dhe ai do të jetojë mes kopesë me dele deri sa të theret për ndonjë arsye tjetër.