Egjipt, 26 të vdekur, afër gjendja e jashtëzakonshme

Të paktën 26 persona kanë vdekur dhe mbi 850 të tjerë janë plagosur në aktet e dhunës të premten në Egjipt, bën të ditur media shtetërore, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë, transmeton rrjeti televiziv CNN.

Së shpejti pritet të shpallet zyrtarisht vendosja e shtetrrethimit. Zëra të pakonfirmuar sugjerojnë se forcat e armatosura do të shpërndajnë një komunikatë, në të cilën mund të vendosin shtetrrethimin për të reduktuar dhunën në të gjithë vendin.

Përkrahës dhe kundërshtarë të ish-presidentit të Egjiptit u përleshën mes tyre, disa orë pas vrasjes së tre protestuesve nga ushtria.

Përleshjet nisën, pasi një grup i madh i përkrahësve të Mohamed Morsit mbushën urën “6 tetori” mbi lumin Nil, duke iu drejtuar sheshit Tahrir, ku ishin mbledhur kundërshtarët e ish-presidentit të Egjiptit. Grupet rivale përdorën fishekzjarrët, gurët, shkopinjtë dhe shishet.

Si transmeton TCH, më herët, Mohamed Badie, kreu i “Vllazërisë Muslimane”, u tha dhjetëra mijëra përkrahësve të Morsit se protestat do të vazhdojnë derisa Morsi të rikthehet sërish në krye të vendit./LajmeOnline/