Edhe Gjermania, bojkoton botërorin rus

foto (4)Edhe pse vetëm ditën e sotme pritet që në Bruksel të diskutohen sanksionet që do t’i vihen Rusisë, që shikohet si përgjegjëse për tragjedinë e shkaktuar me rrëzimin e avionit të “Malysia Airlines” që fluturonte në qiejt ukrainas, në Gjermani e kanë një ide. Disa zyrtarë të lartë gjermanë kanë kërkuar që mes sanksioneve të futet edhe ndalimi i organizimit të një eventi siç është Botërori.

Për Michael Fuks, zëvendësin e kreut të grupit parlamentar të konservatorëve në Bundestag, Rusisë duhet që t’i hiqet e drejta e organizimit të Botërorit. “Mendoj se një nismë e tillë do të ketë më shumë peshë përballë sanksioneve ekonomike. FIFA duhet që të pyesë veten nëse mund të organizojë një Botëror në një shtet që nuk garanton sigurinë e qiejve”, tha mes të tjerash Fuks në një intervistë të dhënë për “Handelsblatt”.

Opinioni i Fuksit mbështetet plotësisht nga Peter Beut (përfaqësues i partisë “CDU”). Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Hesenit“Vladimir Putin nuk duhet që të ketë shansin të organizojë një Botëror para se të hedhë dritë mbi atentatin që iu bë avionit ku humbën jetën rreth 300 civilë”. Në të njëjtën gjatësi vale ishte edhe Frank Schtefelbauer.

Anëtari i komitetit të sportit në Gjermani bëri publik opinionin e tij nëpërmjet uebsajtit të “Berliner Tageszeitung”: “Nëse Vladimir Putin nuk u përmbahet ligjeve ndërkombëtare, atëherë përse Botërori duhet të zhvillohet në Rusi? Unë them se ky event duhet të organizohet në një shtet tjetër”. Një tjetër përfaqësuese e Partisë Kristian- Demokratike (CDU) mbështeti linjën e ashpër të propozuar nga të lartpërmendurit. Deputetja Erika Scheinbach u shpreh se “Është i papranueshëm fakti që një Botëror futbolli të organizohet nga një person si Vladimir Putin”.

Kujtojmë se dje mediat raportuar se edhe kombëtarja holandeze po shqyrton mundësinë e mos pjesëmarrjes në botërorin e vitit 2018.