Edhe Fiorentina pas Ujkanit

images

E ardhmja e Samir Ujkanit po bëhet gjithnjë e më e paqartë, edhe pse portieri shqiptar vazhdon të jetë titullar te Palermo dhe ka qenë ndër më të mirët në fushën e lojës në barazimin 2-2 të shtunën ndaj Lacios.

Palermo po kërkon zyrtarisht nga Kievo portierin Sorrentino, duke dashur t’i besojë atij rolin e titullarit në skuadër dhe nga kjo lëvizje pritet të krijohet një valë masive transferimesh të portierëve në Itali.

Fakti që një nga portierët që mund të lëvizë është edhe Viviano, nga Fiorentina te Bolonja, ka bërë që klubi i Firences të hedhë sytë pikërisht nga portieri shqiptar që normalisht do të kërkojë një sistemim tjetër.

Mediat italiane bëjnë të ditur se edhe trajneri Montela ka dhënë pëlqimin e tij për këtë lëvizje, duke e parë Ujkanin si një lojtar me shumë perspektivë që mund të ndihmojë skuadrën e tij.

Kjo do të shtojë Fiorentinën në një listë të gjatë skuadrash që ndjekin me vëmendje situatën si Kievo, Bolonja, Lacio e Inter. Lojtari shqiptar ka bërë të qartë se do të transferohet te një skuadër që i mundëson të luajë dhe jo të qëndrojë në stol, pasi në moshën 24 vjeçare kërkon të jetë protagonist në fushën e lojës.