E varrosur për së gjalli: thirrje në ndihmë nga varri!

Tmerri i të gjitha tmerreve, varrosja për së gjalli

Jimmy Jones, 92-vjeçar, ishte i martuar me gruan Edith për më shumë se shtatëdhjetë vjet. Ditët e tyre së bashku kishin kaluar në rutinën familjare të ngrënies, të kalimit të kohës së bashku dhe me nipat e mbesat e shumta. Por, ata përkujdeseshin edhe për kopshtin që gjendej në fermën e vogël, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Kur Jimmy u zgjua një mëngjes, pa se trupi i gruas së tij ishte i palëvizshëm. Ai e njoftoi sherifin lokal dhe, nuk vonoi, e gruaja e tij u dërgua në morg. Pasi që plaku insistonte që gruaja e tij të varrosej në fermën e tyre, funerali ishte caktuar menjëherë, për të nesërmen. Pjesa më e madhe e qytetit të vogël kishin marrë pjesë, me qëllim të demonstrimit të respektit të tyre, por funerali mezi zgjati 30 minuta. Më vonë, po atë ditë, Jimmy u ul në sofa dhe, për herë të parë, pa se si ishte që të jetonte vetëm. Vetmia dhe pikëllimi i tij ishin aq të mëdha, sa që e shterën fizikisht dhe emocionalisht. Duke mos mundur që të flinte në shtratin, ku për shtatë dekada kishte fjetur me gruan e tij, Jimmy e mbështeti kokën për pjesën e drunjtë të shtratit dhe filloi që të qante, derisa e zuri gjumi.

Fantazma e gruas

Por, pak pasi që e kishte zënë gjumi, atë e zgjon zëri i gruas së tij, e cila qëndronte pak metra larg shtratit. Gruan e rrethonte një dritë e fortë, derisa në fytyrë kishte një shprehje të dëshpërimit dhe frikës.

Ajo ia tha burrit të saj disa herë fjalët e njëjta: “Unë jam gjallë, Jimmy. Të lutem, më ndihmo, unë jam gjallë!”

Jimmy i frikësuar fshiu sytë nga habia dhe thirri me dhembje gruan e tij, “Edith”! Vizioni i gruas u zhduk, duke e lënë plakun të tmerruar, në konfuzion dhe të vetmuar në errësirën e dhomës së tij.

Edhe natën tjetër, Jimmy përjetoi të njëjtën gjë, pamjen e gruas së tij, e cila e luste që t’i ndihmonte. Plaku filloi që të dyshonte, prandaj thirri sherifin dhe kërkoi nga ai që të zhvarrosej plaka. Sherifi ia doli që ta qetësonte plakun, duke i thënë se, ajo që ai kishte përjetuar, ishte vetëm shenjë e pikëllimit për gruan e vdekur.

Por, Edith iu paraqit burrit të saj edhe natën tjetër, gjë që u pasua edhe me një thirrje tjetër sherifit. Ky i fundit, duke mos dashur që plaku ta shqetësonte më në mes të natës, vendosi që ta bënte zhvarrimin e plakës.

Pamja tmerruese

Pas disa orëve gërmimi, ata arritën tek arkivoli i plakës. Sherifi dhe ndihmësi i tij e hapën kapakun e arkivolit dhe, ajo që panë, i tmerroi të dy ata dhe edhe vetë Jimmy-n.

Trupi i plakës ishte i palëvizshëm, por Jimmy u tmerrua kur pa gërvishtjet në pjesën e brendshme të kapakut të arkivolit. Kjo është një legjendë urbane, por ka shumë të ngjarë që të jetë bazuar në ngjarje të vërtetë. Në të kaluarën, njerëzit varroseshin pa e konstatuar mjeku vdekjen, e edhe mjekësia nuk ishte aq e zhvilluar, kështu që ndodhte të varroseshin njerëzit ende pa vdekur. Ndoshta nuk do të besoni, por raste të tilla ndodhin edhe sot!
va