E rëndë/ Tjetër vetvrasje në Durrës: Nëna e dy fëmijëve të mitur i jep fund jetës

Një ngjarje tjetër e rëndë familjare është shënuar në fshatin Xhafzotaj në Durrës ku një grua nënë e dy fëmijëve të mitur i ka dhënë fund jetës së saj duke u vetëhelmuar me fostoksinë.

E mbyllur në dhomën e saj, gruaja S.C., 24 vjeç, ka marrë një gotë ujë, e ka mbushur me kokrra fostoksine dhe më pas e ka pirë atë. Të afërmit e kanë gjetur gruan në një gjendje të rëndë shëndetësore, pasi kishte pirë një sasi të madhe helmi.

Burime nga Policia, bënë të ditur se ajo është dërguar me urgjencë në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku ndonëse mjekët kanë bërë të pamundurën, gruaja ka gjetur vdekjen duke lënë 2 fëmijët e mitur jetimë. Sipas burimeve policore, gruaja e ka kryer aktin fatal në një gjendje të rënduar shëndetësore depresive. Ajo kishte shfaqur prej kohësh shenja depresive, por kishte refuzuar që të merrte ilaçe.

Në një moment të rëndë depresioni, duke shfrytëzuar dhe kohën që gjendej e vetme në shtëpi, gruaja i ka dhënë fund jetës së saj të re duke pirë fostoksinë. Duke ju referuar shkaqeve që e kanë çuar gruan në një gjendje të rënduar depresioni, sipas policisë dyshohet se mund të kenë qenë dhe kushtet e rënda ekonomike që kanë çuar në këtë akt fatal.

E papunë dhe me dy fëmijë të mitur gruaja mendohet se është tronditur psikologjikisht, gjë që më pas është reflektuar dhe në thellimin e depresionit. Është për t’u evidentuar fakti se kohët e fundit po shtohen rastet e vetëvrasjeve në shkallë vendi. Një pjesë e tyre kanë në bazë problem ekonomik që ndikojnë direkt te njerëzit me çrregullim emocional.