E “masakruan” në rrjetet sociale pas letrës për ikjen nga Shqipëria, tenori u kthen përgjigje

Tenori i njohur edhe jashtë vendit, Agim Hushi, shkroi një letër ditën e djeshme që ishte sa lamtumire, aq edhe zhgënjimi dhe akuzuese për një kastë politike që sipas tij e ka lënë vendin varfërisht mjeran.

Por ajo që nuk pritej ishte sulmi që pësoi tenori në rrjetet sociale, ku shumë syresh e sulmuan deri aty sa duke i thënë: ”Bëre shumë mirë që ike, na lërë në hallet tona”, “Ike se s`të bënë drejtor” apo “ Ti je një m..”.

Duket se këto sulme frontale edhe nga njerëz publik e kanë zhgënjyer shumë tenorin i cili mëngjesin e sotëm ka postuar në profilin e tij një tjetër shkrim, ku u kthen përgjigje të gjithë atyre që e kanë sulmuar.

Ja çfarë shkruan Hushi në postimin e tij:
Të dashur Miq! Vërtet ngela i shtangur me këtë shpërthim online dhe mënyrën se si po lexohet një zhgënjim njerëzor, qytetar dhe të një personi që Shqipërinë dhe familjen i ka gjërat më të shenjta të tij.

Jam mësuar gjithë jetën të jem pre e cmirzinjëve dhe njerëzve të parealizuar por s’më ka ndodhur kurrë që një mesazh i qartë qytetar të lexohet me kokë poshtë dhe ku njerëz që as e kam idenë se ekzistojnë dhe me të cilët s’jam parë kurrë në këtë jetë të futen në profilin tim dhe me një gjuhë viktimash të dëshpëruar shfryjnë pezmin e tyre personal, pa logjikë, të verbër jo për fajin tim natyrisht!

Unë atdheun tim e dua dhe do ta dua sa të jetë jeta, mbi të gjitha me vepra; përfshi dhe këtë postim! Unë atdheun s’mund ta lidh me një klasë politike që më ka zhgënjyer çdo ditë timen! Dhe teksa gjej dashurinë dhe respektin njerëzor në një vend të huaj s’ka se si mos të më vij turp që i kam bashkëkombës këtë racë maskarenjsh që kemi mbi krye. Ç’ka këtu tragjike në këtë qëndrim?

Ju uroj një fundjavë të bukur dhe të lumtur me familjet tuaja!
Juaji: Agim Hushi