E fiksuar për çanta e kuleta, lushnjarja hajdute u kthye në mankthin e dyqaneve dhe zonjave

Rosalinda Konomi, një hajdute seriale, po gjykohet për vjedhjet që ka bërë, kryesisht çanta. Biondja 42 -vjeçare ka një histori jo të zakontë të vjedhjeve.

Pasi përfundoi dënimin e radhës për akuzën e vjedhjes, Rosalinda e shijoi lirinë vetëm 6 ditë, ditën e shtatë ajo u kthye sërish në qeli.

Gruaja nga Lushnja, ndryshon shpesh vendbanimin, por jo skemën e vjedhjeve, që siç rezulton në vëmendje të saj, janë çantat dhe kuletat e femrave që hyjnë në dyqane për të blerë.

Edhe arrestimi i fundit i Rosalindës u krye nga komisariati numër 3, pasi në një dyqan veshjesh për fëmijë dyshohet të ketë vjedhur një çantë dore dhe 4.500 lekë.

Edhe pse fundjavë, gjatë masës së sigurisë gjyqtarja e gatshme aplikoi gjykimin e drejtëpërdrejtë, duke çelur shqyrtimin gjyqësor ku u dëgjuan palët, shkruan Top Channel.

Prokurori, përveçse kërkoi arrest me burg, tha se ka prova shkresore dhe kamera sigurie që vërtetojnë implikimin e saj. Burime zyrtare thanë se Rosalinda është shfajësuar duke u justifikuar se çantën e kishte gjetur në rrugë.

Gjykata është tërhequr për të dëgjuar pretendimin përfunditar të prokurorisë se sa burgim do të kërkojë. Hajdutja bjonde u arrestua një vit më parë pasi rrëmbeu çantën e bashkëshortes të një zyrtari policie.

Më pas u vërtetua autorësia për të paktën edhe 6 vjedhje të tjera. Por më herët vajza, e cila nga një ish-e përndjekur pas viteve ‘90 emigroi në Holandë, është arrestuar edhe nga policia e Fierit për 5 vjedhje./JOQ/