E ëma: Si na e vodhi Eda Zari me dokumente false pasurinë

REE

Zhane Zari akuzon të bijën për falsifikim dokumentesh në marrjen e pronave të familjes, ku pjesëtarë janë edhe fëmijët e tjerë.

Bëhet fjalë për një apartament në Durrës dhe një dyqan 64 metra katrorë në lagjen “21 Dhjetori” në Tiranë, shkruan sot PanoramaPlus. ..Të gjitha faturat u paguan nga im shoq, Ismaili, kur ishte gjallë, ndërsa këstin e fundit të shtëpisë e pagoi Eda. Para 1 muaji, kur hapa dokumentet e shtëpisë, pashë që ajo me shkrim dore kishte shtuar emrin e saj Eda, para Ismail Zari, që është babai i saj, i cili kishte blerë shtëpinë.

Më shumë sesa një rrëfim denigrues, ky është një negocim publik që një nënë e panjohur, kërkon të bëjë me vajzën e saj me famë si këngëtare xhazi. Fjala është për artisten 41-vjeçare Eda Zari, e cila jeton prej vitesh në Gjermani me bashkëshortin gjerman dhe dy djemtë e saj. Kemi parë deri tani anën plot shkëlqim të medaljes, por Zhane Zari, e cila ka kontaktuar vetë me gazetën tonë, tregon për konfliktin shumë personal me të bijën. Nuk do të dëshironte të bënte një deklaratë të tillë, që shumë nëna do e quanin gabim, aq më tepër nëse ky veprim do i prishte imazhin e shkëlqyer të vajzës artiste. Por duke u përpjekur të gjejë një avokat në Tiranë, historia nuk mbeti vetëm brenda familjes dhe tashmë ajo e sheh të arsyeshme ta bëjë vetë publike. Ajo rrëfen se si e bija e saj i ka përvetësuar dy pronat e familjes duke falsifikuar dokumentet dhe ndërprerja pas kësaj e komunikimit me të bijën e famshme.
Znj. Zhane, cila është kontradikta me vajzën tuaj këngëtare, Eda Zari, të cilën ju vendosni ta bëni publike?
E kam të vështirë më besoni, se jam një grua që i ka kaluar të ’70-at dhe kurrë s’e kam menduar se do përballesha në këtë moshë me vajzën time të vogël, Edën, të cilën bashkë me bashkëshortin e çuam që 17 vjeç në Gjermani, ku filloi studimet në Muzikë, pra i mundësuam një jetë ndryshe për ta çuar më tej talentin e saj…
Po çfarë ndodhi atëherë?
Arsyeja është që unë konstatova se Eda ka përvetësuar padrejtësisht dy prona të familjes, duke falsifikuar dokumentet, dhe kjo më çuditi. I kërkova sqarim në telefonon, po ajo u mërzit shumë dhe tashmë nuk komunikojmë më fare.
Për çfarë pronash bëhet fjalë dhe kur e zbuluat ju një fakt të tillë?
Bëhet fjalë për një apartament në Durrës dhe një dyqan 64 metra katrorë në lagjen “21 Dhjetori” në Tiranë. Për apartamentin në Durrës m’u desh të kërkoja dokumentet e kontratës së shitblerjes që im shoq, i cili tashmë nuk jeton më prej pesë vjetësh pasi humbi jetën në një aksident tragjik, e kishte blerë në emrin e tij. Apartamenti kushtoi 50 milionë në atë kohë dhe ne i paguam në dorë personit që na e shiti vetëm 20 milionë. Pjesën tjetër ramë dakord ta shlyenim me këste mujore, që ishte 1 milion e gjysmë të vjetër në muaj. Të gjitha faturat u paguan nga im shoq, Ismaili, kur ishte gjallë, ndërsa këstin e fundit të shtëpisë e pagoi Eda. Para 1 muaji, kur hapa dokumentet e shtëpisë, pashë që ajo me shkrim dore kishte shtuar emrin e saj Eda, para Ismail Zari, që është babai i saj, i cili kishte blerë shtëpinë. E telefonova dhe i kërkova të më jepte sqarime se përse e kishte bërë një veprim të tillë pa më thënë mua dhe ma preu shkurt, që shtëpia ishte e saj, pra e kishte blerë ajo. Unë me të drejtë i kërkova të më thoshte arsyen, se më kishte marrë dokumentet origjinale, të cilat i kishte falsifikuar, duke shtuar para emrin të babait emrin e saj. Pra nga blerësi Ismail Zari, ajo e kishte bërë Eda Ismail Zari, dhe mua në shtëpi më kishte lënë vetëm fotokopjet. Kur ia thashë në telefon u nevrikos shumë, ndaj nuk di se si ta gjej të vërtetën dhe gjuhën me të.
E si vepruat pas kësaj?
Shkova te noteri që ishte marrë me këto dokumente dhe ai u acarua kur i kërkova dokumentin. Më tha të pija një kafe derisa ta gjente dosjen, dhe pastaj më dha një dokument që vërteton se Eda është pronarja e shtëpisë. Por unë dyshoj se është falsifikuar gjithçka.
Po Eda çfarë argumenti ju dha?
Eda këmbëngul që shtëpinë në Durrës e ka blerë vetë ajo, ndërsa unë jam dëshmitare që atë shtëpi e kam blerë unë me bashkëshortin.