E dhunuara: E dua burrin tim, pranë tij kalova vite të mrekullueshme

loading...

loading...
Kohërat kanë treguar se viktima shumë herë bie në dashuri me dhunuesin dhe më keq akoma, nuk ka fuqi dhe as dëshirë që ta denoncojë atë. Vetëm një mendësi e tillë mund të shpjegojë edhe rastet e fundit të dhunës në familje në vendin tonë, të cilat po shtohen çdo ditë e më tepër. Shumë gra dhunohen çdo ditë, por kanë pasur frikë ta denoncojnë dhunën, apo në shumë raste janë mjaftuar me shprehjen që, “një burrë që të do, të rreh”.

Kjo gjë pranohet edhe nga shumë femra në kryeqytet, të cilat, edhe pse bashkëshorti i dhunon, sërish mundohen ta fshehin krimin. Një gjë të tillë e ka bërë edhe Vjollca Hysa, e cila dy ditë më parë, në kryeqytet, i ka shpëtuar mrekullisht vdekjes. Ajo prej dy vitesh ka pasur konflikte me bashkëshortin e saj, Bashkimin, por ka zgjedhur momentin e fundit që të bëjë denoncimin në polici.

E kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, Vjollca, edhe pse ka bërë një denoncim në polici, sërish përpiqet që ta mbrojë bashkëshortin e saj dhunues.

“Kam kaluar vitet më të mrekullueshme pranë tij. Çdo gjë mbaroi natën e mbrëmshme (natën e së hënës), dhe unë nuk dua të flas më për këtë ngjarje”, – pohon Vjollca Hysa. Sipas saj, shkak për konfliktet mes saj dhe bashkëshortit, Bashkimit, ka qenë depresioni i këtij të fundit. “Kishim dy vitet e fundit që konfliktoheshim. Kjo nuk ishte hera e parë, por asnjëherë nuk kishte arritur deri në këtë pikë. Mbrëmjen kur ndodhi ngjarja, ishim duke ndenjur dhe nisëm të debatonim, sepse Bashkimi kohët e fundit ka qenë pak i lodhur dhe me depresion. Dhe atë natë prandaj u zumë”, – pohon Vjollca. Ajo rrëfen edhe momentin kur bashkëshorti i saj Bashkimi ka dashur ta qëllojë me sëpatë. “Në moment nxehjeje, ai deshi të më qëllojë më sëpatë. Unë shpëtova, se e kapën të tjerë persona. Gjithçka u mbyll atë natë. Unë bëra denoncimin në polici dhe nuk kam se çfarë të them më tepër”, – pohon Vjollca Hysa.
Denoncimi

Mbrëmjen e së hënës, në Tiranë, në zonën e Shkozës, 47-vjeçari Bashkim Hysa ka tentuar të vrasë gruan e tij duke e goditur me sëpatë. Por fatmirësisht ngjarja është parandaluar nga familjarët e tjerë, të cilët kanë mundur që t’i marrin sëpatën 47-vjeçarit. Pas kësaj, Vjollca Hysa ka shkuar në polici dhe ka bërë denoncimin pranë Komisariatit nr.1 në kryeqytet, të cilët kanë vënë në pranga bashkëshortin e saj mëngjesin e djeshëm./LajmeOnline/

loading...