E dashura më la se i pëlqenin paratë dhe puna e rrugës…

Unë jam një emigrant që ndodhem në Itali dhe quhem Isuf Peshtanaku. Në vitin 2011, vajta në Shqipëri për të kaluar pushimet verore të muajit gusht dhe për t’u çmallur me familjen. Pas tri ditëve vendosa të shkoja në plazh në Sarandë, Dhërmi e Himarë. Mbas gjashtë ditëve u njoha me një vajzë që e quajnë Denisa. E ftova që të pinim diçka freskuese në një lokal që ndodhet buzë detit dhe filluam të bisedonim me njëri-tjetrin për gjërat e kaluara; ajo të vetat e unë të miat. Më pas biseduam për dëshirat e jetës në të ardhmen e pas të gjitha gjërave që diskutuam, para se të ngriheshim nga lokali, shkëmbyem numrat e telefonit për të qenë në kontakt me njëri-tjetrin. Mbas një ore bisedë u ndamë me një kënaqësi të përbashkët dhe nga darka, ajo më dërgoi një mesazh që të takoheshim përsëri të nesërmen. Në sms më tha: “Në ato momente kur isha me ty ndjehesha e qetë dhe e lumtur, por kisha shumë emocione që të flisja hapur dhe lirisht e prandaj po të dërgoj këtë sms”. Unë iu përgjigja me sms që do të takoheshim përsëri të nesërmen e do të flisnim gjerë e gjatë e më hapur për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin.

Të nesërmen kështu ndodhi; ajo më mori në telefon dhe e lamë vendtakimin po tek i njëjti lokal ku kishim pirë së bashku. Unë mora makinën dhe vajta te lokali ku kishim lënë takimin, parkova makinën dhe e pashë që ishte ulur në tavolinë në verandën e lokalit. Vajta dhe e pyeta: “ke shumë kohë që po më pret?”. Ajo m’u përgjigj: “Gjysëm ore kam që kam ardhur”. Ne morëm diçka për të pirë e pastaj po bisedonim gjerë e gjatë për çdo fushë të jetës. Më tha se i pëlqente të bënim një xhiro buzë detit dhe vazhduam të flisnim për dëshirat e jetës. Në një moment, ajo m’u drejtua me këtë pyetje:

– Çfarë të pëlqen më shumë te një vajzë që preferon të bëhet nusja jote?

Iu përgjigja se te një vajzë më pëlqen shumë thjeshtësia, sinqeriteti e të jetë e edukuar. Ajo më pa në sy dhe më tha:

– Do ta dish realitetin e jetës sime? Të intereson?

Unë iu përgjigja: – Po, më pëlqen ta di realitetin tënd.

Ajo nisi të më tregonte një histori dashurie që e kishte zhgënjyer dhe në mes të historisë nuk po i dilnin fjalët nga goja e filloi të qante. Në atë moment i hodha dorën në qafë, i thashë që “me të vërtetë po më vjen shumë keq për këtë që të ka ndodhur” dhe vazhdova t’i fshija lotët. Ajo m’u afrua me lotët në sy e më dhuroi një puthje që më la pa fjalë. Puthja e saj më bëri që të ndjeja dashurinë që po hapte derën e zemrës sime. Më pas vazhdova ta puthja për dhjetë minuta pa pushuar. Gjatë puthjeve më thoshte që më donte shumë e më pyeti nëse e doja edhe unë. Në atë moment i thashë:

– Më lër pak kohë për të thënë “të dua”. Të mendohem para se ta them, se është e lehtë të thuash “të dua”, por është e vështirë që ta mbash, se zhgënjimi të hidhëron siç e di dhe ti vetë…

Ajo më tha: – Të falënderoj për sinqeritetin që ke e po tregon ndaj meje.

Kështu, bëra një muaj plazh bashkë me të dhe po i vinte fundi kohës së pushimeve. Unë e kisha vendosur që të ikja për në Itali mbas pesë ditëve dhe i tregova asaj. Ajo nisi të qante dhe më thoashte se nuk rrinte dot pa mua. I thashë se mua po më priste puna në Itali e më duhej të ikja patjetër. Ajo më tha: “Më merr edhe mua me vete me këto vizat tre mujore”.

Pranova të vinte, nëse e lejonte familja dhe ajo më tha se i kishte thënë si mamit, ashtu edhe babit dhe ata i kishin thënë “ti e di vetë për jetën tënde”.

Fjalët e saj më bënë të mendohesha shumë për të marrë një vendim të tillë. Të them të vërtetën, edhe mua më kishte hyrë në zemër dashuria e saj dhe ndjeja shumë për të, por nuk e tregoja veten ndaj Denisës që unë e dua kaq shumë e nuk e lashë që ta kuptonte një gjë të tillë. U mendova para se të vendosja për të ikur në Itali, e mora në telefon dhe i thashë që do të më pëlqente të pija një kafe te shtëpia e saj e të bisedoja pak edhe me prindërit saj. Ajo më tha se ata më mirëprisnin.

Unë i shkova te shtëpia dhe prindërit e saj u gëzuan kur më panë te porta e shtëpisë. Ne biseduam gjerë e gjatë për një orë të tërë dhe me fjalën e prindërve të saj, e mora me vete në Itali. Gjatë kohës që qëndrova me të në Itali, u ndjeva edhe më i dashuruar pas Denisës. Edhe ajo më thoshte se më donte më shumë se jetën e saj, por pas dy muajve ajo më iku nga shtëpia pa më treguar fare. Unë nuk e dija se nga kishte ikur dhe numrin e kishte thyer, për të mos lënë gjurmë pas që ta gjeja. Unë e kërkova për një muaj të tërë dhe si përfundim, nuk e mora vesh fare arsyen e ikjes së saj. I telefonova familjes së saj se mos kishte ikur në Shqipëri dhe ata m’u përgjigjën duke qarë se nuk ndodhej as në Shqipëri dhe se nuk i kishte telefonuar fare, se kishin një muaj pa i dëgjuar zërin. E sqarova familjen e saj se për mua nuk kishte pasur asnjë arsye që të ikte nga shtëpia.

Mbas gjashtë muajve, kur u ktheva nga punë në darkë, zbrita nga makina për të hyrë te shtëpia, kur pashë që ishte Denisa. Nuk po u besoja dot syve të mi! Ajo po më shikonte që çfarë do t’i thoja unë në atë moment. Mendova ta përzija nga shtëpia që në atë moment pa e pyetur fare, por nga kurioziteti për të ditur arsyen se përse kishte ikur, i thashë “mirëmbrëma” dhe ajo më tha “më fal”. I thashë: “Hajde hyr brenda në shtëpi të pimë diçka dhe të flasim pak”.

Ajo filloi të më tregonte duke qarë se përse kishte ikur nga shtëpia pa më pyetur fare. Arsyeja ishte se i pëlqente jeta e rrugës dhe lekët, për të jetuar një jetë luksoze me mua. Nga ai moment i thashë të largohej sa më parë nga shtëpia ime, se nuk po e shikoja dot me sy.

– Harroje shtëpinë time dhe emrin tim për gjithë jetën tënde! – i thashë.

Ajo po qante dhe më tha: – Seriozisht e ke që të mos shihemi më?

– Nuk dua ta përsëris dy herë një fjalë! – i thashë, ndonëse unë e doja me gjithë zemër, doja të martohesha e të kaloja jetën me të…

Ajo përsëri interesohet shumë për mua e më gjen çdo numër të telefonit që e kam ndërruar disa herë prej saj, por dashuria që kisha në zemër për të, më është kthyer në urrejtje. Sa herë bëj që të njoh një vajzë tjetër, kur e merr vesh ajo që jam lidhur me një tjetër, më prish punë. Jam në udhëkryq e nuk e di çfarë të bëj e si të veproj? Ju lutem, i dashur lexues, mund të më ndihmoni me ndonjë mendim se ajo po ma nxin jetën dita-ditës? Kush është i interesuar që të më ndihmojë me ndonjë mendim, adresa ime është siç vijon më poshtë. Ju përshëndes të gjithëve.