Dy ditë pas vrasjes së “Kasapit të Ballkanit” reagon shteti islamik duke kërcënuar edhe Tiranën

ISIS: Ushtarët e Kalifatit do të përgjakin Ballkanin “Së shpejti ushtarët e kalifatit do të ecin përmes Beogradit, Zagrebit, Sarajevës, Tiranës, Prishtinës, Shkupit dhe qyteteve të tjera duke prerë kokat dhe derdhur gjakun e të pafeve”, Familja e Lavdrim Muhaxherit hap dyert e mortit në Kaçanik të Kosovës për tu ngushëlluar për vrasjen e djalit në Siri

“Policia e Kosovës posedon informacion për vrasjen e një personi në Siri, i cili është nga Kosova.

Mirëpo, referuar situatës në Siri, Policia e Kosovës nuk posedon informacion apo dokumentacion zyrtar për vrasjen e tij”! Kjo është deklarata e vetme e Policisë së Kosovës që lajmëron për ekzekutimin e Lavdrim Muhaxherit, të riut nga Kaçaniku, i cili thuhet se është vrarë gjatë bombardimeve në Siri.

Dje, familja e tij kanë hapur dyert e mortit ndërsa në zonën e tij të lindjes, mediat kanë përcjellë momente nga vizitat e banorëve të zonës në familjen e tij.

Në lidhje me gjithçka ka ndodhur në Kaçanik ka folur kreu i Bashkësisë Islame të kësaj zone, ndërkohë që ai ka bërë thirrje që mos të shkohet për të luftuar pasi sipas tij në tri vitet e fundit nga kjo zonë, në dijeninë e tij nuk ka shkuar asnjë person në Siri.

Por ndërsa në Kaçanik, familja Muhaxheri pret ngushëllime për vdekjen e djalit në luftë, që për ta është luftë e shenjtë, janë një sërë të dhënash që ditën e djeshme kanë hedhur dritë mbi një deklaratë të frikshme të ISIS, ku mësohet se tashmë në shënjestrën e tyre do të jenë pikërisht kryeqendrat e Ballkanit.

Nuk dihet se nga është marrë shkas për këtë kërcënim masiv, por sipas “Rumiyah”, revista e ISIS, por në versionin boshnjak, mësohet se tashmë në listën e sulmeve me thika dhe bomba është shënuar edhe Tirana.

Paralajmërimi i ISIS

Referuar të dhënave ndërkombëtare bëhet me dije se grupi terrorist i Shtetit Islamik ka paralajmëruar valë terrori në të gjitha shtetet e Ballkanit, pas sulmeve të përgjakshme në Evropë.

“Jo, betohemi në Allah, ne nuk e kemi harruar Ballkanin!” Kështu paralajmëroi dje versioni boshnjak i revistës së ISIS-it “Rumiyah”, në një kërcënim të ri për valë terrori në të gjithë rajonin.

Në artikullin “Ballkani-Gjak për armiqtë, mjaltë për miqtë”, ISIS kërcënon në mënyrë direkt serbët dhe kroatët për rolet e tyre në luftërat ballkanike por edhe myslimanët ‘tradhtarë” ndaj besimit.

“Së shpejti ushtarët e kalifatit do të ecin përmes Beogradit, Zagrebit, Sarajevës, Tiranës, Prishtinës, Shkupit dhe qyteteve të tjera duke prerë kokat dhe derdhur gjakun e të pafeve”, paralajmëron revista.

Artikulli paralajmëron se të gjithë tradhtarët e besimit islam në Bosnje, Serbi, Sanxhak, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni do të shfarosen nëse “nuk kthehen në Islam”. “Gjaku juaj është më i ëmbël se ai i serbëve dhe kroatëve për ne”, thuhet në revistë, sipas “Balkan Insight”.

Versioni në gjuhën boshnjake i revistës së ISIS-it që prej shtatorit të kaluar ka justifikuar sulmet e grupit terrorist anekënd botës.

Revista publikohet në shumë gjuhë, përfshirë arabishten, anglishten, turqishten, gjermanishten dhe frëngjishten. Sipas të dhënave zyrtare, Bosnja është një prej eksportuesve kryesore të xhihadistëve në Lindjen e Mesme.

Në rolin e strategut

Muhaxheri njihet si një militant me famë, që ka vepruar si ndërlidhës ndërmjet Shtetit Islamik dhe shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. A

i u tha se ka punuar në kampin e forcave amerikane Bondsteel, afër Ferizajt, ndonëse nuk është ende e qartë se çfarë saktësisht ka punuar aty.

Në vitin 2010, raportohet nga mediat e Kosovës se është angazhuar përmes një kompanie private, për të punuar për dy vite në kampet e NATO-s në Afganistan. Me t’u kthyer në Kaçanik, Muhaxheri ishte angazhuar në një qendër lokale “Rinia Islame në Kaçanik”, para se të merrte rrugën për në Siri.

Autoritetet e rendit në Kosovë besojnë se udhëtimi i tij i parë atje ka ndodhur në vitin 2012, prej nga është kthyer në Kosovë një vit më vonë. Në këtë periudhë, në vitin 2013, Policia e Kosovës nis hetimet mbi të dhe ai sërish udhëton drejt Sirisë.

Së paku, 300 shtetas të Kosovës kanë marrë pjesë në konfliktet e huaja në Siri dhe Irak, të pozicionuar në anën e organizatave të shpallura terroriste, siç është i ashtuquajturi Shteti Islamik dhe Al-Nusra.

Strukturat e sigurisë në vend kanë theksuar se në fushëbetejat e huaja janë duke qëndruar ende 140 persona, në mesin e të cilëve ka edhe gra dhe fëmijë. Nga këto vende të luftës, në Kosovë tashmë janë kthyer 100 persona. Kosova ka miratuar ligjin, i cili sanksionon pjesëmarrjen në konfliktet e huaja dhe që parasheh dënimin me burg deri në 15 vjet.

Shqiptarët e vrarë në Siri

Kjo nuk është hera e parë që është raportuar për vrasjen e tij në Sir, ndonëse sa herë flitej për te ai javë më vonë shfaqej në një vend të banuar me shqiptarë. Në muajin gusht të vitit 2014, mediat patën raportuar me për vrasjen e Lavdrim Muhaxherit.

Një video e shpërndarë më 21 maj 2015 nga një grup i fshehtë aktivistësh sirianë, Muhaxheri dukej duke e vrarë një sirian me raketë anti-tank. Muhaxheri kishte shkaktuar bujë më herët me postimin e disa fotografive të tij në rrjetet sociale, ku shihej duke i hequr kokën një njeriu.

Ai kishte promovuar në shtator të vitit 2015 atë që u tha se ishte valuta zyrtare e IS-it, Dinari i Artë.

Megjithatë vrasja e tij dy ditë më parë është pranuar edhe nga familja e tij, ndërsa nuk dihet se çfarë bëhet me trupat e tyre pasi në rastet e tjera asnjëherë trupat e të vrarëve nuk kanë mbërritur në Shqipëri dhe në Kosovë.

Atje mbeten edhe pjesa tjetër e familjes së luftëtarëve, të paktën në rastin e shqiptarëve të vrarë atje të cilët kanë marrë grua dhe fëmijë, apo edhe fëmijë vetëm, siç ishte rasti i Shkëlzen Dumanit, i cili ia rrëmbeu gruas të dy fëmijët dhe sot e asaj dite nuk dihet vendndodhja e tyre, ndërsa për Dumanin u tha se u vra, pak kohë më parë!