Durrës, lot e shpresë për Kejsin tek shkolla ‘Kushtrimi i Lirisë’: Nis fushata për ndihmë financiare (VIDEO)

Kejsi Prizrendi është vogëlushja nëntë vjeçare nga Durrësi që është prekur nga sindroma “Xhonson”, një sëmundje shumë e rrallë, e cila kërkon mjekim shumë të specializuar e të kushtueshëm.

Në klasën e saj të katërt, në shkollën “Kushtrimi i Lirisë”, shokët e shoqet e klasës prej dy javësh presin rikthimin e vogëlushes. Ata kanë mësuar se Kejsi është në spital në Itali.

Mësuesja kujdestare Herona Spathari pohoi se nxënësja e saj ka nevojë për ndihmë pasi kurimi në spitalet italianë është shumë i shtrenjtë.

Me iniciativë të mësuesit të baletit, Arian Plaku, është hapur një numër llogarie dhe një kuti për të dhënë ndihmë vullnetarisht është vendosur në shkollën e vogëlushes. Drejtoresha e shkollës
pohoi se çdo ndihmë sado e vogël, i vjen në ndihmë prindërve të Kejsit, të cilët e kanë të pamundur kurimin e vajzës së tyre në spitalet Italianë.

Ndërsa prindërit kishin bërë gjthçka gati, që Kejsi të niste vitin e ri shkollor, vogëlushja u mjekua në pediatrinë e Tiranës për infeksion në bajame.

Vajza jo vetëm që nuk u përmirësua por në gjendje shumë të rënduar prindërit e dërguan në datë 11 shtator në Itali.

Pas 15 ditësh në Itali, gjendja shëndetësore është e rëndë, ndërsa prindërit kanë apeluar për ndihmë, nga ata që kanë mundësi.

Një numër llogarie është hapur, ndërsa fushata ka nisur edhe në rrjetet sociale.