Duhemi si të çmendur!


Ishte vera e para dy viteve, ku, si çdo vit, shkoja për pushim me familje në Ulqin. Unë dhe motra ishim më shumë se të lumtura, meqë asnjë vit nuk na kishte ikur pa shkuar në det. Një shoqe imja më tha se gjithmonë banonte te e njëjta familje dhe se në atë shtëpi ishte një djalë bukurosh, e që tërhiqte me bukurinë e tij. Kjo edhe ishte arsyeja pse para dy vjetësh i luta prindërit të shkonim mu në atë shtëpi, shkruan Valja, nga Prishtina.
Si çdo adoleshente, edhe unë isha në kërkim të një bukuroshi që do i bënte më interesante pushimet tona, por vetëm kaq e jo më shumë… Ai ishte, vërtet, i bukur. E vështroja në heshtje, duke mos kërkuar vëmendjen e tij. Pas disa shkëmbime shikimesh rastisim një natë pranë njëri-tjetrit. Ai ishte vetëm e unë me motrën time. Por, isha në siklet dhe nuk mund t’i rrija edhe aq pranë. Kur motra ime e pyeti për emrin, ai më shikoi mua dhe i tha që emrin tim tregoja edhe motrës tënde… Dhe, pas 10 ditë qëndrimi në Ulqin u kthyem në Prishtinë, por bukuria e tij bëri që ai t’më rrinte në mendje dhe të mos më largohej dot… Mendja më rrinte vetëm te ai… E kërkova edhe në rrjete sociale, por s’e gjeta kurrë! Pas gati një vit, gjatë një bisede me një mike timen, rastësisht më flet për një djalë nga Ulqini. I thashë se a mund të ma tregoj foton e tij në kompjuter. Kur e hapi ishte mu ai… bukuroshi… Bërtita me sa fuqi që kisha, duke u bërë edhe qesharake… Ajo i shkroi në “Facebook” dhe i tregoi se ishim bashkë dhe ia shkroi e-mailin tim. Dhe, një ditë më vonë në e-mailin tim pash se ai më kishte shkruar… Ia ktheva dhe nga ai çast biseda jonë në FB u bë racion ditor… Bisedat tona s’kishin fund…
Pas një jave shkëmbyem edhe numrat e telefonit dhe më shkruante sms me tekst të bukur. Por, i kisha edhe dyshimet e mia: Një djalë aq i bukur dhe i kërkuar, pse duhej të merrej aq seriozisht me mua?
U takuam për herë të parë si dy të dashuruar në verën që kaloi në Plazhin e Vogël të Ulqinit. Dhe, nga ai takim e edhe tash duhemi si të çmendur… Dhe, nëse ka diçka që unë di, me siguri, është se asnjë mashkull nuk do më dojë më shumë se ai… /Valja