Drone, por me bomba: ISIS planifikon sulm në qytetin ku do të luajë Kombëtarja Shqiptare

ISIS po planifikon sulme terroriste në Marsejë, qytetin ku Kombëtarja Shqiptare e Futbollit do të luajë kundër Francës më 15 qershor. Në një laptop të përdorur më parë nga Salah Abdeslam, kreu i sulmit terrorist të Parisit, policia britanike ka gjetur të dhëna që flasin për një sulm të madh terrorist në Marsejë, kundër tifozëve britanikë në ndeshjen Angli-Rusi që do të zhvillohet më 11 qershor.

Me t’u publikuar ky lajm në britaniken The Sun, publiku dhe mediat shqiptare kanë shprehur shqetësimin edhe për delegacionin shqiptar dhe tifozët e Shqipërisë në Euro 2016. Ndeshja Francë-Shqipëri do të zhvillohet 4 ditë pas ndeshjes së kërcënuar nga ISIS, Angli-Rusi. Kamikazë, kallashnikov dhe drone që lëshojnë bomba nga ajri janë mjetet me të cilat është planifikuar të bëhet sulmi, me qëllimin për të vrarë sa më shumë njerëz.

Ky plan duket të jetë një përpjekie për të vënë në zbatim kërcënimet e ISIS ndaj Britanisë së Madhe, se do të kishte sulme më të forta se masakra e Parisit në nëntor 2015. Policia britanike dhe ajo franceze po bashkëpunojnë për të marrë masa të sigurisë së lartë në stadium dhe rrotull tij, por frika më e madhe qëndron tek lokalet përreth apo nëpër qytet, ku tifozët mund të mblidhen për të parë ndeshjen apo për të festuar pas saj.