“Dridhet” koalicioni || PDK-ja, vijë të kuqe LDK-së!


Deputeti i Kuvendit të Kosovës Nait Hasani, ka thënë se pas zgjedhjeve të ardhshme, PDK-ja nuk duhet assesi të lidhë koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kjo pasi sipas tij, LDK-ja mbron politikat e krahut të majtë dhe si e tillë edhe duhet të shpallet. Hasani e ka akuzuar edhe për disa çështje të tjera partinë e Isa Mustafës, përfshirë këtu edhe rrallimin e seancave në Kuvendin e Kosovës.

Në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic, deputeti i PDK-së, ka vlerësuar se marrëveshja e Demarkacionit e shkelë sovranitetin e shtetit të Kosovës, andaj si rrjedhojë e kësaj, ai ka thënë se nuk do të votojë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

“Çdo gjë që bie ndesh me kushtetutën, nuk do ta votoj”, është shprehur ai për Gazetën Blic.
Tutje, deputeti i Kuvendit të Kosovës gjatë intervistës, ka deklaruar se është mirë që të ketë takime mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ashtu sikur edhe midis partive të tjera, pasi siç është shprehur ai, një gjë e tillë ndihmon në tejkalimin e krizës.

Nait Hasani ka folur edhe për kandidaturën e Kadri Veselit për të parin e PDK-së, si dhe për ish-kryetarin e Kaçanikut nga radhët e po kësaj partie, Xhabir Zharkun, i cili ndonëse është i dënuar, ende po vazhdon të jetojë i lirë. Veprimin e këtij të fundit, Hasani e ka cilësuar si “qyqarllëk”. Ndërsa, për të tilla raste sipas tij, duhet të angazhohet edhe Interpoli.

“Duhet aktivizuar edhe Interpolin për t’i arrestuar personat që kanë lëndë në gjykata. Pa drejtësi nuk ka shtet”, ka shtuar ai gjatë bisedës për Gazetën Blic.
Hasani po ashtu, ka treguar se kush e mban fajin kryesor për mosarrestimin e Xhabir Zharkut.

GazetaBlic: Z. Hasani, ditë më parë thatë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Pse pikërisht tash, pasi Hashim Thaçi u zgjodh president?

Nait Hasani: Në atë se unë kam thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, qëndroj përsëri prapa mendimit tim, se vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Këtë e them se e gjithë puna e kuvendit dhe qeverisë është pasivizuar dhe të gjitha janë vetëm deklarime e asgjë nuk punohet. E tërë administrata është e pashpresë, në pritje të ngjalljes së kësaj shprese dhe ta kthejmë besimin te qytetarët përmes zgjedhjeve. Sepse ka zhvillim , nuk ka liberalizim, nuk ka arsim, nuk ka mësimdhënie as mësimnxënie e as punësime në asnjë sektor ekonomik. Mbajtja sa më shpejt e zgjedhjeve, do të thotë shpresë e besim për qytetarët e Kosovës. Shtyrja do të thotë zhgënjim edhe më i madh e humbje e besimit në çdo gjë në vendin tonë, në Kosovën e shtrenjtë.

nait-hasani

GazetaBlic: Atëherë, kur saktë mendoni se vendi do të shkojë në zgjedhje?

Po unë mendoj se zgjedhjet duhet të mbahen tashmë në këta mujt e parë të verës së këtij viti, sepse shtyrja do të thotë humbje e shpresës dhe e dëshpërimit politik të qyterarëve të Kosovës.

Nait Hasani: Në momentin që shpallen zgjedhjet, a ka vija të kuqe për ndonjë parti, PDK-ja?

Para zgjedhjeve PDK-ja duhet të konkurrojë vetë, sepse ka mjaft fuqi politike dhe vlera për ta fituar besimin e qytetarëve. Pas zgjedhjeve janë mundësitë që duhet të shihen për koalicione të mundshme me partitë që kanë fituar mandate në Kuvendin e Kosovës. Unë mendoj se duhet të ketë dhe vija te kuqe me cilat parti nuk duhet të hyjmë në koalicion. PDK-ja si parti e djathë duhet të luftojë qartë, ta mbrojë e ta dëshmojë këtë. Si parti e djathtë në Kosovë duhet të jetë PDK-ja ose LDK-ja; dy parti të djathta nuk mund të jenë në një vend. Prandaj, mendoj që PDK-ja, e cila ka luftuar për zhvillim të vendit me reforma dhe për reforma të djatha në Kosovë, duhet t’i tregojë LDK-së se është parti e majtë, sepse gjithherë për 50 vjet, ka qenë e e majtë në pushtet, në qeverisje, në Kosovë, si Lidhje e Komunistëve të Kosovës etj. Prandaj, ajo mbron politikat e majta dhe duhet të shpallet parti e majtë. Dhe PDK-ja, parti e djathë. PDK-ja me politikat e djathta në mbrojtje të shtetit dhe te zhvillimit të vendit, duhet t’i fitojë edhe zgjedhjet dhe ta ndërtojë shtetin e ta kthejë besimin te qytetarët, në shtetin e tyre si mundësi e jetës së mirë në vendin tonë.

GazetaBlic: A do të thotë kjo se keni vija të kuqe për LDK-në?

Unë mendoj se PDK-ja duhet të ketë vijë të kuqe për LDK-në, sepse LDK-ja është treguar që nga themelimi inerte në marrjen e vendimeve të mëdha për vendin. Prandaj, PDK-ja duhet të kërkojë koalicion me partitë që janë të gatshme të bëjnë ndryshime dhe ta ndërtojnë vendin me bashkëfuqitë tona dhe me ndihmën e miqve tanë-partnerë politikë e strategjikë.

Takimi PDK-VV duhet të ndodhë!

Nait Hasani: Kuvendi kohët e fundit i ka rralluar mbledhjet. Pse po ndodhë kjo, tash kur salla e kuvendit nuk po bllokohet si më parë?

Në Kuvend të Kosovës thuajse nuk ka senaca. Kjo ka ndodhur se nuk ka ligje dhe nuk ka shqyrtime të ligjeve, sepse mungon gatishmëria e deputetëve për të punuar në komisione. Derisa nuk ka seanca, kjo tregon se ka një gjendje jo të mirë në funksionimin e Kuvendit dhe të deputetëve për të hartuar ligje. Po kjo tregon, se dhe qeveria nuk ka sjellë ligje , ose kur ka sjellë ligje, deputetët e pozitës së LDK-së janë ata, që nuk i shtyjnë ligjet për miratim. Sepse nuk janë të gatshëm për të punuar, hezitojnë të punojnë.

GazetaBlic: Deputeti i Nisma-s Enver Hoti, deklaroi se PDK-ja dhe Vetëvendosje kohët e fundit kanë pasur takime mes vete. Sa është e vërtetë një gjë e tillë?

Nait Hasani: Ne jetojmë në Kosovë dhe jemi rreth i vogël, thuajse gati familjarë të gjithë, në krahasim me sa parti politike kemi në Kosovë. Takimet janë të natyrshme që ndodhin dhe askush nuk duhet t’i kapë për atë se pse u takuan këto apo ato parti mes vete. Në Kosovë duhet të takohen partitë dhe kur takohen, krijohen edhe mundësitë e zhvillimit të vendit.

Ndarja dhe mostakimet mes partive politike në Kosovë janë të dëmshme dhe ky dëm është që e kemi vuajtur qe sa kohë në Kosovë. Takimet me VV-në nëse kanë ndodhur, më vjen mirë, sepse jemi shqiptarë dhe duhet të dalim nga kriza politike dhe ajo e gazit lotsjellës. Normalizimi i Kuvendit varet nga marrëveshjet, prandaj duhet marreveshje për ta zhvilluar vendin tonë.

Takimi PDK-VV, duhet të ndodhë. Po, dhe me të gjitha partitë. Sepse krijon besim dhe tolerancë te qytetarët në këto rrethana të krizës dhe humbjes së shpresës. Takimet dhe krijimi i një mundësie të daljes nga kjo gjendje, është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë këtij vendi. Duhet mendesi politike në kohën që po jetojmë. Qytetarët presin nga ne, e ne duhet t’ju japim mundësi të shpresës dhe besimit politik.

GazetaBlic: Pra, a mund të thuhet se ka pasur apo nuk ka pasur takime mes PDK-së dhe VV-së?

Nait Hasani: Unë mendoj që nuk ka pasur, por edhe nëse ka pasur, kjo është gjë e mirë, që duhet të ndodhë në politikën e Kosovës.

Nait-Hasani

GazetaBlic: Kryeparlamentari Kadri Veseli, tanimë ka shpallur kandidaturën për postin e të parit të PDK-së. Çfarë mendoni se do t’i sjellë Partisë Demokratike, Veseli?

Nait Hasani: Ushtruesi i kryetarit të PDK-së z. Veseli ka shpallur dhe zyrtarisht kandidaturën për kryetar të PDK-së. Kjo është një gjë me rëndësi, sepse tregon se PDK-ja ka një vazhdimësi politike, me një strategji të re në kohën politike. Shpresojmë në mundësinë që me zgjedhjen e z. Veselit në krye të PDK-së, të kemi një qasje më proaktive në politikë, në zgjidhjen e çështjeve të ndjeshme politike, si Demarkacioni e Assosacioni dhe liberalizimi i vizave dhe zhvillimi i vendit.

GazetaBlic: Pasi jemi te demarkacioni, së shpejti pritet të që të ratifikohet në kuvend kjo marrëveshje. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë?

Nait Hasani: Unë mendoj se çështjet e demarkacionit që do të vijnë në Kuvend, do të analizohen dhe do të jenë mundësi e shqyrtimit të gjithanshëm të kësaj çëshjeje të ndjeshme. Unë besoj se deputetët me ndërgjegje dhe me vizion politik nuk duhet të votojnë për çështje që shkelin sovranitetin e vendit, që garantohet edhe me kushtetutë. Ne kemi dhënë betimin në mbrojtjen e kushtetutës dhe vendit tonë. Prandaj, dhe unë do të jem aty në mbrojtje të vendit tim, me çdo mjet demokratik.

GazetaBlic: Pra, ju nuk do të votoni për ratifikimin e Demarkacionit?

Nait Hasani: Çdo gjë që bie ndesh me kushtetutën, nuk do ta votoj.

Për raste si të Zharkut, duhet aktivizuar edhe Interpoli.

GazetaBlic: Ish-kryetari i Kaçanikut Xhabir Zharku, ndonëse është i dënuar nga Gjykata, po vazhdon të veprojë i lirë jashtë vendit. Së fundi, Zharku ka publikuar edhe disa fotografi. Brenda PDK-së, pati të atillë që thanë se Zharku “iu ka hypur skijave”. Z. Hasani, cili është komenti juaj lidhur me tërë këtë?

Nait Hasani: Unë mendoj se jo të gjithë njerëzit janë politikisht të përgjegjshëm edhe pse njeriu është qenie politike. Ikja nga përgjegjësia tregon qyqarllëkun e individit si ndërgjegjësim politik. Ai e ka dëmtuar veten me ikje po dhe e ka humbur besimin te qytetarët dhe te drejtësia.

Mendoj se edhe drejtësia e ka humbur besimin te qytetarët. E ka humbur sepse sistemi i drejtësisë është selektiv. Kjo ka ndodhur e po ndodhë nga mosgatishmëria e gjyqtarëve prokurorëve të merren seriozisht me lëndët gjyqësore. Nëse pritet me vite për zgjedhjen e lëndëve, kjo tregon paaftësinë e sistemit të drejtësisë. Dhe tjetra që mendoj se duhet, gjyqtarët dhe prokurorët të jenë të paguar më mirë dhe me të gjitha beneficionet që mundësojnë ta kthejnë besimin e drejtësisë në Kosovë. Po në të njëjtën kohë duhet kërkuar edhe përgjegjësi më të mëdha në vendosjen e rendit dhe sundimin e ligjit. Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Duhet aktivizuar edhe Interpolin për t’i arrestuar personat që kanë lëndë në gjykata. Pa drejtësi nuk ka shtet.

GazetaBlic: Kush mban përgjegjësi për moskapjen e tij, atëherë sipas jush?

Nait Hasani: Përgjegjësi mban drejtësia që nuk ka lëshuar fletarrestim. Pa fletarrestim nuk veprojnë organet e drejtësisë në Evropë. Përgjegjësia është e gjyqtarëve dhe e qeverisë që nuk kërkon përgjegjësi nga këto organe.

Unë shpresoj se do të mësohemi e ndërgjegjësohemi dhe të besojmë në drejtësi, në drejtësi para ligjit për të gjithë.

/GazetaBlic/
marreveshja