Doruntinë Maloku: Në këto zgjedhje pati “blerje industriale” të votave

Doruntina Maloku, e bija e këshilltarit të presidentit dr. Ibrahim Rugova, e veprimtarit të madh të çështjes kombëtare, Enver Malokut, është njëra ndër deputetet e LDK-së që për të parën herë do jetë pjesë e legjislativit të Kosovës.
Në një intervistë për Bota press e pyetur se a e konsideroni sukses apo dështim të LDK-së në këto zgjedhje, ajo është përgjigjur:
Nuk ka humbje që mund të cilësohet – sukses! Ne kemi humbur zgjedhjet, por duhet të jemi të sinqertë sepse ne kemi rritur votën tonë, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2010. Ashtu sikurse edhe të tjerët në LDK, kam analizuar dhe po analizojmë bashkërisht arsyet e rezultatit që arriti LDK në zgjedhjet e 8 qershorit. Së pari, mendoj se LDK, si parti politike ka dalë me mirë sesa të gjitha partitë e tjera në këto zgjedhje. Vërtetë LDK ka dale subjekti i dytë me numër, por të mos e anashkalojmë faktin se subjekt i parë ka dalë një koalicion partish. Bile një koalicion aspak programor dhe parimor. Pastaj, është konstatuar se në këto zgjedhje nuk ka pasur vjedhje industriale votash, por po ashtu është konstatuar se ka pasur “blerje” industriale votash. Të qenit në pushtet, PDK dhe aleatët e saj e kanë keqpërdorur skajshmërish në këto zgjedhje. Duke përdorur mekanizmat, asetet dhe buxhetin e shtetit për interesa të tyre elektorale. Ende këto ditë ne po shohim mashtrimet që janë përdorur nga pushtetarët në ikje. Mjafton të gjykoni numrin e aplikantëve për punë në Policinë e Kosovës. Ka fakte se ky konkurs është përdorur për përfitim votash. 20 mijë aplikantët e këtij konkursi janë manipuluar. Matematikisht, kjo është diferenca e votave mes PDK-së e aleatëve të saj dhe LDK-së. (Bota press)