“Do ta paguash shtrenjtë!”/ Kim Jong-un flakë për flakë me Trump, e kërcënon personalisht

“Fjalimi i marrë i Donald Trump në Kombet e Bashkuara e kanë bindur edhe më fort Korenë e Veriut se zhvillimi i armëve të saj bërthamore është vendimi i duhur”.

Ky ishte reagimi i udhëheqësit suprem të vendit komunist, Kim Jong-un, që iu adresua vendit përmes agjencisë shtetërore duke komentuar deklaratat e Donald Trump.

Përmes një deklarate personale të transmetuar anglisht, në gjuhën e Presidentit amerikan, në agjencinë shtetërore të lajmeve KCNA, Kim Jong-un zotohet se “Donald Trump do ta paguajë shtrenjtë për komentet e bëra së fundi në OKB”.

Trump tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta shkatërronin plotësisht Korenë e Veriut nëse do të detyroheshin prej kësaj të fundit për të mbrojtur vetveten dhe aleatët e Uashingtonit në rajon.

Ja çfarë thuhet në deklaratën e shpërndarë nga media koreane KCNA:

Fjalët e Donald Trump më bindin më fort dhe jo të më trembin, se rruga që kam zgjedhur është ajo e duhura dhe e vetmja që do të ndjek deri në frymën time të fundit. Tani që Trump mohoi ekzistencën dhe më ofendoi mua dhe vendin tim në sy të botës përmes deklaratave më të egra për luftë të bëra ndonjëherë, Koreja e Veriut po konsideron masat më të forta dhe të rrepta si kundërpërgjigje për ta detyruar Donald Trump të paguajë shtrenjtë për fjalimin e tij.