Dita e dasmës qe tmerri im

loading...

Përshëndetje! Tani që po ju shkruaj është mesnatë… Kjo duhet të ishte një mbrëmje shumë e veçantë për mua, duke qenë se është dita ime e parë si grua e martuar, por bashkëshorti im po fle në krevat, pa menduar fare për mua apo për ato që më shkojnë në mendje.

Kur e takova për herë të parë Rolandin punoja si kamariere në një lokal. Ai erdhi për të takuar disa miq. Nuk kisha për ta vënë re nëse ai nuk do të më kishte rrëzuar tabakanë. Kështu ka qenë gjithnjë, i vrullshëm. Më bëri të humbisja gjithë ato lekë atë ditë. Në kompensim, më la një bakshish të mirë. Kur e mbylla punën atë natë, e pashë që po më priste jashtë. Më kërkoi që të dilnim, gjë që sipas tij, do të shlyente gabimin që bëri. Pranova.
Në atë kohë unë doja të vazhdoja shkollën e lartë. Gjimnazin e kisha mbaruar me nota shumë të mira, por sapo e mbarova, babai më vdiq nga kanceri. Mamaja ime nuk ia dilte dot e vetme, duke qenë se ishim pesë fëmijë, kështu që nisa të punoja përkohësisht, për sa kohë ajo do të kishte nevojë. Ama, universiteti ishte diçka që e kërkoja me ngulm dhe e dija që një ditë do ta mbaroja.
Kështu, nisa të dilja me Landin. Ai ishte krejt e kundërta ime. Tip i zhurmshëm, fliste me zë të lartë, bënte shakara, më puthte ose më përqafonte në mes të rrugës. Unë nuk isha mësuar me këto gjëra. Ajo që doja ishte një lidhje e thjeshtë, doja dikë që ta kisha si mbështetje morale. Unë nuk isha gati për t’i thënë botës: “Ja, kam një të dashur”.
Por Landi as që donte t’ia dinte. Ai më dukej aq i lumtur! Shpesh më bënte surpriza. Më dërgonte lule, më ftonte për darkë, më blinte dhurata. Mendoja se këto gjëra ekzistonin vetëm në ëndrra, por ai më bëri ta shihja gjithçka me një sy tjetër. Më bëri të dashurohesha me të, me botën e tij dhe me gjithë universin që na rrethonte të dyve. Kur ai hyri në jetën time, gjërat po më ecnin mirë. Dhe, atëherë kur e kuptova që isha vërtet e dashuruar, iu hapa mamit. Ajo në fillim pati frikë, por më pas, kur e njohu, dha aprovimin e saj. Nuk kishte njeri që të mos e pëlqente Landin. Kush e takonte do të thoshte që si ai nuk kishte.
Kështu, pas një viti lidhjeje u fejuam dhe pas një viti tjetër, nisëm të jetonim së bashku. Landi nuk i kishte prindërit në Tiranë, ndaj ishim vetëm ne të dy. Ia kalonim mirë. Unë gatuaja dhe bëja punët e shtëpisë. Nuk punoja më si kamariere, pasi Landi merrte një rrogë të mirë. Ndërkohë, po interesohesha për universitetet dhe degët e mundshme që mund të ndiqja. Konkurova dhe nisa studimet në degën e Gjuhë-Letërsisë. Kishim vendosur me Landin që sapo të mbaroja shkollën, të martoheshim, por ai këmbëngulte që ne të martoheshim më parë. Mamaja e tij kishte nisur të mos ndihej mirë, ndaj dhe ai donte që ajo ta shihte dhëndër sa të ishte gjallë. Nuk thoja dot jo.
Caktuam datën e martesës dhe nisëm të merreshim me gjithçka. Më mirë duhet të them, “nisa” të merresha, pasi Landi nuk punonte fare mbi këtë gjë. Më thoshte vetëm që kishte besim tek unë dhe që e dinte se çdo gjë do të ishte perfekte.
Por në fakt, nuk ishte aq e thjeshtë sa e bënte ai. Më dilte kurrizi vendit gjatë ditës duke bërë punët e shtëpisë dhe duke u kujdesur që asgjë të mos mungonte, por isha u lumtur. Sa herë që e shihja rrotull dhe i tregoja se si do të ishte ceremonia, kuuptoja se sa shumë e doja.
Landi paraditeve ishte në punë, ndërsa pasditeve dilte gjithnjë për një gotë birrë me shokun e tij të zyrës, Maksin. Ata kishin kohë që punonin së bashku. Ndoshta shkonin mirë sepse ishin tipa të kundërt. Maksi më dukej si femër, ishte bukurosh, i brishtë, dukej si prej qelqi. Kur Maksi më thoshte që do të shkonte për birra me Maksin, më vinte për të qeshur. Nuk e imagjinoja dot Maksin duke pirë birra. Më shumë i shkonte ndonjë lëng portokalli. Megjithatë, nuk mund ta mohoj se më vinte mirë që Landi kishte një shok të afërt me të cilin të rrinte.
Dita e dasmës qe e mrekullueshme. Kisha vendosur që të ishte një ceremoni e vogël, por prindërit e Landit nuk na lanë. Ata ftuan të gjithë njerëzit e mundshëm që mund të njihnim. Ishte si një festë e madhe. Asnjëherë nuk kisha parë aq shumë njerëz në një vend. Të gjithë ishin të përqendruar tek unë dhe Landi. Nuk e kam ndjerë veten aq të lumtur. Të paktën deri në njëfarë ore. Më pas, ndodhi ajo që po shkatërron jetën time.
Po më shkohej në tualet, por kur pashë, ajo e femrave ishte e zënë. Pashë pak rreth e rrotull dhe u futa. Kisha nevojë urgjentisht, por edhe nuk doja të vonohesha shumë. Sa u bëra gati për të hapur derën, dëgjova zëra. Duhej të ishte e zënë. Vendosa të prisja deri në momentin që njëri nga zërat m’u duk si i Landit dhe u pasua nga disa zhurma puthjesh. Ai duhet të ishte aty me ndonjë femër, duke i dhënë lamtumirën beqarisë së tij. Dola jashtë dhe u fsheha afër derës së banjos. Doja të dija kush ishte ajo, por tronditja më e madhe qe kur pashë nga banjo të dilte Landi dhe Maksi. Ishte e tmerrshme! E pabesueshme! Gjëja e fundit që më shkonte në mendje. Nisa të dridhesha. Po më merrej fryma, fustani po më shtrëngonte. Doja të mendoja se ata nuk po bënin asgjë në banjo, por në fakt i kisha dëgjuar me veshët e mi. Ndoshta femra ishte akoma aty brenda. Vajta për të parë, por nuk kishte njeri.
Vendosa të kthehesha brenda. Nuk mund ta prishja dasmën time, ndonëse martesa tashmë ishte shkatërruar dhe më e keqja ishte se e doja shumë, shumë atë djalë. Si mund ta lija natën time të martesës? Çfarë do t’u thoja prindërve të tij dhe mamasë sime? Nuk e kuptoja çfarë ishte gjithë ajo gjëmë! Ajo ditë kaloi ashtu, mes njerëzve, ndërsa sot paradite, më shumë kemi fjetur gjumë. U ngritëm vonë dhe unë përgatita drekën. Landi pa televizor dhe më pas më tha që do të flinte pak sepse ishte i lodhur. Kjo ishte dita ime e parë si nuse. Tani që po shkruaj këtë letër as që e kam idenë çfarë do të bëhet me mua. Landin e dua shumë, por nuk mund të vazhdoj të shtirem gjatë gjithë jetës sime. As ai s’besoj se do ta bëjë. Ose ndoshta ka frikë. Në të dyja rastet, jam unë ajo që do të humbasë. Dy janë meshkujt që kam dashur më shumë në jetën time. Babin ma mori kanceri, ndërsa Landin… dashuria!

loading...

loading...