Dhjetë vjet “doktor shkence” me certifikatë

Për dhjetë vjet me radhë është prezantuar si doktor shkence e anesteziologjisë. Me këtë titull shkencor, ajo ka mbajtur simpoziume jo vetëm të nivelit vendor, por edhe në atë ndërkombëtar. Tash për tash është edhe asistente në Fakultetin e Mjekësisë në lëndën e Anesteziologjisë, me pretendimin që së shpejti të bëhet profesoreshë e rregullt për këtë lëndë. Qamile Morina, brenda dhjetë viteve, ka regjistruar të njëjtën doktoratë në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, të parën në vitin 2000 dhe të dytën në vitin 2011.

Ndonëse për një dekadë me radhë ka thënë se ka titullin doktor shkence, ajo nuk posedon diplomë por vetëm certifikatë. Në vitit 2000, Morina ka regjistruar për herë të parë doktoratën me titullin e disertacionit “Ndikimi i ushqyerjes në pneumonitë në ventilim mekanik”, duke thënë se e ka përfunduar në vitin 2002.

Një dekadë me titull “doktor shkence”, pa diplomë

Përreth një dekadë ajo ka pasur privilegjet e një doktor shkence. Mungesën e diplomës, e cila do ta vërtetonte një gjë të tillë e arsyeton me problem tekniko-administrativ të fakulteti të Tiranës. “Problemet e mia kanë filluar në momentin kur unë kam shkuar atje për ta kërkuar diplomën time. Edhe unë kur fillova ta kërkoj atje diplomën e doktoratës, atëherë fillojnë të shpalosen disa probleme, që nuk është e regjistruar në rektorat, ata e kanë procedurën krejt ndryshe për dallim të procedurave që janë në Kosovë”, ka thënë Qamile Morina për gazetën “/LajmeOnline/”.

Kur ajo shikon mundësitë e avancimit në pozitë dhe dokumentet i mungojnë, Morina bën të ditur se ka kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe rektorati i Universitetit të Tiranës që të shikojnë të bëjnë një zgjidhje: “Unë e kam kryer doktoratën dhe mua më kishin dalë telashe dhe unë nuk po mund të konkurroj për avancim”, tregon Morina.

Në momentin kur dalin reagime se kjo anesteziologe nuk ka diplomë, Qamile Morina, ndonëse thotë se e ka përfunduar njëherë, ajo e regjistron për herë të dytë doktoratën në tetor të vitit 2011 në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë me titullin “Ndikimi i ushqimit enteral në paraqitjen e pneumonive tek pacientët në ventilim mekanik”. Kështu Qamile Morina merr diplomën me gradën shkencore “Doktor në kirurgjinë e përgjithshme” më 22 shtator të vitit 2012. Këtë diplomë tashmë posedon edhe gazeta “/LajmeOnline/” e cila vërteton se ajo e ka marrë këtë titull brenda një viti./LajmeOnline/