Detyrohet të zvarritet shkallëve të spitalit, infermierët refuzojnë ta ndihmojnë (Video)


Autoritet e republikës ruse Bashkortostan kanë filluar hetimet për spitalin e qytetit Ufa të këtij vendi pas publikimit të një videoje në të cilën shihet një grua me këmbë të thyer duke u zvarritur shkallëve të spitalit. Prokurori i republikës tha se spitali kishte drejtuar pacienten Tatiana në një pjesë tjetër të spitalit për të kryer fotografimin në rëntgen, Mirëpo për arsye se “ashensori nuk punonte” gruaja e cila shihet të jetë rreth të 60’ave është detyruar të ngjis dhe të zbresë të 28 shkallët duke u zvarritur. “Zyra e prokurorisë do të shohë nëse i janë shkelur të drejtat shëndetësore dhe do të sigurohet që klinika të ofrojë shërbime mjekësore më të mira për pacientët” tha zëvendës prokurori i vendit, Guzel Masagutova. Videoja është incizuar nga vajza e Tatianës e cila nuk kishte mundësi ta ndihmonte sepse edhe ajo vuante nga problemet me shpinën, ku të dyja ishin lënduar gjatë një aksidenti në trafik. Ajo u kishte kërkuar ndihmë infermierëve por ato kishin thënë se kjo nuk ishte puna e tyre.