Dëshmia rrëqethëse e shqiptarit: Si u torturova nga policët grekë

GREK

Gazetat greke kanë botuar sot rrëfimin rrëqethës të një shqiptari, i cili jo vetëm u ndalua gabimisht, por edhe u torturua nga pesë punonjës të policisë greke, tre prej të cilëve mësohet se janë nën akuzë për këtë dhunim.

Duke e krahasuar ngjarjen me atë që ndodhi në burgun “Abu Ghraib”, gazeta “To Vima” shkruan se dhunimi ka qenë i tmerrshëm dhe është ushtruar ndaj një personi të pafajshëm të ndaluar në rrugë për shkak të një dyshimi.
Personi i dhunuar, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, një 35-vjeçar nga Shqipëria, ishte arrestuar për plagosjen e një punonjësi policie në 2005, por pak kohë më vonë u zbulua se plagosjen e kishte kryer një avokat grek. Ai rrëfen momentet e tmerrit që ka përjetuar nga torturat e policëve grekë: “Ishin pesë policë që më rrihnin. Njëri prej tyre, me pushkë më qëllonte në çdo pjesë të trupit dhe në kokë. Kurse grykën e pushkës ma fuste në sy. Pastaj më qëllonte në organin gjenital duke më shkaktuar dhimbje të forta që më mekën nga klithmat. Më godisnin sërish dhe më urdhëronin të ngrihesha në këmbë. Pastaj më rrëzonin në tokë dhe më hapnin këmbët duke më qëlluar sërish në organin gjenital. Më ngrinin sërish në këmbë duke më mbajtur nga supet dhe vazhdonin të më qëllonin”, – ka rrëfyer shqiptari.

Raporti mjekoligjor për shqiptarin, ka përcaktuar dëmtime serioze në kokë dhe në trup të shkaktuara nga goditje fizike dhe me mjete të forta gjatë qëndrimit në rajonin policor të Athinës, që tregojnë se mbi personin është ushtruar dhunë jo rastësisht, por sistematikisht për disa orë, dhunë e vazhdueshme në formë torturash”/LajmeOnline