Dëshmia e dëshmitarit që nuk u mor kurrë parasysh

loading...

loading...
Llashtica e dërmuar as pas 15 vitesh nuk mori përgjigje nga organet e drejtësisë. Nuk mjaftuan as deklaratat e Vlora Shabanit, Deli Hysenit, Drita Hysenit, Ymer Ibishit, Nehat Shabanit e të dëshmitarëve të tjerë që kjo Dosje të paktën të marrë një përgjigje zyrtare.Llashtica edhe sot (e diel) për kutjon 15 vjetorin e masakrës, por pa asnjë hetim zyrtar, raporton rajonipress.
Edhe pse në polici, prokurori dhe EULEX e UNMIK janë deponuar dhjetëra dëshmi për vrasjet në këtë fshat, askush deri tani nuk e ka trajtuar seriozisht Dosjen e Llashticës. Ymer Ibishi dëshmitar vazhdon të mos heshtë dhe të kërkojë drejtësi për viktimat e burg për kriminelët.

Llashtica është njëri nga fshatrat që ka pësuar më së shumti dhe është goditur mbi shumë familje, duke filluar nga vrasjet, pushkatimet, dhunimet e djegiet e kufomave.
“Dosja e Llashticës” mbetet ende e pa hetuar. “Pas luftës KFOR-i, UNMIK-u dhe agjenturat e huaja të instaluara në Gjilan kërkonin dëshmi, kërkonin fotografi e incizime nga vendi i ngjarjes. Dhe ne ua dhamë të gjitha duke besuar se ato dëshmi do të zbardhen ndonjëherë, por kjo kurrë nuk ndodhi, madje as me Luis Arbur që atë kohë ishte kryeprokurore e Tribunalit të Hagës e cila ishte e vetmja që vizitoj Llashticësn”. Kështu rrëfen për rajonipress dëshmitari Ymer Ibishi nga Llashtica.
Ibishi thotë se ndihet i befasuar nga heshtja e hetuesve shqiptarë. “Është e pafalshme që asnjë prokuror, asnjë polic hetues nuk gjeti guxim e kurajo që ta zbardh Dosjen e Llashticës. Kam deponuar në Prokurorinë e Gjilanit dhjetëra dëshmi, fotografi e prova të pakontestueshme, por kurrë askush nuk më ka ftuar për të dhënë intervistë apo folur për ngjarjen në Llashticë” thotë Ibishi.
Ai ndihet i zhgënjyer edhe në EULEX-in dhe në Tribunalin e Hagës. “Edhe EULEX-i po vepron njëjtë si UNMIKU dikur”.
Ibishi tha se deri më tani asnjë hetim zyrtarë dhe asnjë dëshmitarë i gjallë nuk u ftua që të dëshmojë për masakrën e Llashticës ku më 13 prill të vitit 1999 forcat serbe të udhëhequra nga policia dhe ushtria e rregullt serbe vranë, masakruan dhe djegën për së gjalli 13 civil të pafajshëm.
Llashticasit me të drejtë ankohen edhe në institucionin e Hagës, meqë në procesin gjyqësor ndaj ish zyrtarëve më të lartë të Serbisë të akuzuar dhe dënuar edhe për krimet e luftës në Kosovë, masakra dhe djegia për së gjalli e civilëve shqiptarë në këtë fshat nuk është përmendur fare.
Dëshmitarët e Llashticës me kujdes e kanë përcjellur këtë proces gjyqësor, por janë zhgënjyer në Gjykatën e Hagës e cila vetëm kalimthi e ka përmendur Llashticën. Madje ish kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Luis Arbur e cila kishte vizituar menjëherë pas luftës Llashticën, kishte premtuar hetim të plotë, por kjo kurrë nuk ndodhi.
Ibishi thotë se edhe patologët kanadez që kishin parë kufomat e Llashticës asnjëherë nuk e kanë dorëzuar raportin zyrtar në organet hetuese. “Është vërtet e habitshme sesi EULEX –i po flenë mbi dosjen e kriminelëve të identifikuar të Llashticës, derisa prokurorët shqiptarë vetëm po bëjnë sehir në këtë punë”.
Sipas, Ibishit hetuesit e EULEX-it kanë fakte trishtuese dhe dosje të gatshme për Llashticën. Sipas tij ushtria dhe forcat paramilitare më 13 prill 1999 e kanë rrethuar Llashticën, derisa konvoji ushtarak mbante nofkën :”Dora e zezë”.
Ndryshe në kohë dhe rrethana të ndryshme në Llashticë në prill të vitit 1999, janë vrarë 23 civilë të pafajshëm . Gjithashtu në Llashticë janë djegur 120 shtëpi , është djegur shkolla, biblioteka, janë plaçkitur qindra traktor .
Dëshmitari kryesor, Deli Hyseni njeriu që ka parë me sy vdekjen e më të afërmeve të tij në dëshminë e tij për masakrën e 30 prillit 1999 ka thënë :”Nuk kam forcë as guxim që të flas për atë tragjedi. Është një emocion i madh që kur flas mezi përmbahem. E kam parë vdekjen me sy, kam parë se si vdiqët për së gjalli, kam parë sesi njeriu është më i fortë se guri”.
Dhe këto fjalë e këto rrëfime loti të Deli Hysenit tregojnë për vrasjen e 13 shqiptarëve në shtëpinë e Rifat Shabanit. Deliut i kujtohet ora kur paramilitari rom e qëllon të parin babanë e tij. “ Romi e qëlloi në syrin e djathtë babën dhe vazhdon t`i vras të gjithë me radhë i ndihmuar edhe nga një serb”.
Deliun e godet plumbi në fyt dhe i humbet vetëdija. Sërish e përballon këtë skenë dhe arrin të dalë nga tymi e flaka. “E kam parë me sy sesi digjej nënë Ajshe . Ajo dha shpirt në duart e mija. E kam parë me sytë e mi Feriz Shabanin teksa po jepte shpirt për së gjalli. Është karbonizuar në krahët e nënës së tij Zijaverës”.
Deliu thotë se paramilitari që ishte rom pas vrasjes së babait e ka ekzekutuar vëllain Fazliun, kushëririn Rifatin, pastaj Xhavitin. “Unë isha goditur me plumb në qafë dhe jam alivanosur. Pas gjysmë ore kam parë se i kanë ekzekutuar të gjithë me nga një plumb, kurse Ymerit i thanë se ty nuk po të vrasim , ty po të lamë me vuajt për tërë jetën” citon fjalët e paramilitarit Deliu.
Kjo ka qenë njëra nga dëshmitë e Deli Hysenit , dëshmitarit të gjallë dhe njeriut që pa gjithçka dhe madje edhe buldozerin që erdhi nga Pasjani për të rrafshuar tërë vendin e krimit.
Edhe rrëfimi i Vlora Shabanit është mjaft trishtues dhe tregon barbarinë serbe më 13 prill 1999. Vlora në këtë masakër ka humbur babën, nënën, vëllain dhe babagjyshin.
Ajo nga traumat që ka pësuar në këtë masakër është dashur të shërohet gjashtë muaj në SHBA. Vlora në këtë masakër është plagosur dhe ka parë me sytë e saj se si digjeshin për së gjalli prindërit e saj dhe vëllai.
Vlora në dëshminë e saj ka saktësuar se ishin dy paramilitarë që me dhunë dhe rrëmbyeshëm kanë hyrë në shtëpinë e tyre në Llashticë. “Këta paramilitarë e detyruan babin tim Selami Shabanin që t`i ngritë duart lartë . Pas pak na kanë tubuar të gjithëve së bashku në një dhomë ku kanë nisur t`i ndajnë meshkujt në një anë –dhomë, dhe gratë e fëmijët në një dhomë tjetër” ka rrëfyer Vlora.
Edhe, Nehat Shabani mësues ishte dëshmitar i dhunës serbe. Ai është i plagosur në krahun e djathtë dhe e humbi djalin e tij Lirimin . Nehati më 13 prill 1999 plagoset nga serbët derisa banorët po qëndronin në male.
Të pushkatuarit e datës 30 prill 1999 janë: Hysen Deli Hyseni, Ajshe Hysen Hyseni, Fazli Hysen Hyseni, Arife Fazli Hyseni, Driton Fazli Hyseni, Mirije Deli Hyseni, Blerim Ramadan Halili, Rifat Xhemajl Shabani, Selami Rifat Shabani, Zijavere Ejup Shabani, Fisnik Selami Shabani, Sylejman Ymer Ibishi, Xhavit Banush Berisha.
Në fshatin Llashticë gjithashtu janë vrarë më 13 prill 1999: Ali Bejtë Selimi, Enver Sylë Murseli, Ymer Kadri Rashiti, Lulzim Feti Musliu, Rukije Qazim Ramushi , Habibe Idriz Ramushi, Nezir Hasan Ramushi, Xhyzide Shaban Hasani, Lirim Nehat Shabani .
Nga procesverbalet e gjetura në ish Prokurorinë e Qarkut( të siguruara nga rajonipress), e që janë të evidentuara të gjitha rastet e vdekjeve të qytetarëve të pafajshëm në Gjilan, Kamenicë e Viti, për secilin rast të vrasjes zyrtarët serb të Gjykatës së Qarkut dhe të ish SPB-së vetëm kanë shënuar se vrasja është bërë nga personi NN.
Ky vlerësim është dhënë nga Prokuroria e Gjilanit dërguar një letër sekrete Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut në vitin 2004. Nga procesverbalet zyrtare të ish zyrtarëve serb është parë se në të gjitha zhvarrosjet kanë marrë pjesë persona ushtarak, policor dhe gjyqësor.
Në këto procesverbale janë dhënë shënime për vrasjet në: Zhegër, Llovcë, Lladovë, Llashticë, Dobërqan, Zhegovc, Malishevë, Velekincë, Lubishtë e Vitisë, Verban, Novosellë, Kabash, Smirë, Gjylekarë, Cërrnicë, Stubëll e Ulët, Pozharan etj.
Gjykatësit serb që kanë fshehur vrasjet ose që janë munduar t`i fshehin gjurmët janë : Zhivojin Jankoviq-gjykatës, dr.Pavlloviq Millorad patolog, Bojzhin Ristiq inspektor, Stana Gjokiq, Sergjan Stojanoviq, Svetozar Periq, Petroviq Jovica, Shqekiq Radosav, Goran Cuckiq, Zhivorad Dimiq, Aleksander Simonoviq, Momqillo Antiq, Danijella Cvetkoviq, Jovanka Trajkoviq, Novica Nisiq, Serxhan Marasheviq, Vasiq Hranisllav, Jovica Petrovia, Radovan Dajiq, Toma Ivanoviq.
Pos masakrës fshati Llashticë ka përjetuar edhe djegien e shtëpive, ku janë plaçkitur teknika bujqësore, janë zhdukur bagëtitë e fshatit, ishte dëmtuar shkolla fillore “Esat Berisha”, ishte djegur xhamia e fshatit, ambulanca e fshatit, biblioteka e fshatit.
Në tërë fshatin janë djegur 123 shtëpi, 137 objekte ndihmëse, janë plaçkitur 90 traktorë, 120 motokultivator, 3 autokombajna, 3 kombibusa, një kamion dhe 130 vetura. Gjithashtu sipas të dhënave serbët kishin plaçkitur 680 kafshë të trasha.

loading...