Dërrmoi PD me 74 mandate, Rama: Sot festë në Tiranë

Partia Socialiste ka fituar zgjedhjet e mbajtura më 25 qershor.

PS ka siguruar plot 74 mandate në të gjithë vendin, ndërsa PD vetëm 43 mandate.

Pas saj vjen LSI me 19 mandate ndërsa PDIU me 3 mandate. Pas fitores së thellë të PS, Rama i ekzaltuar ka falenderuar disa herë shqiptarët për votën që i besuan.

Kryeministri i Shqipërisë iu ka dërguar një mesazh kandidatëve për deputetë të kësaj force duke iu thënë se ia dolën.

MESAZHI I PLOTË

Ia dolëm! Ia dolëm aty ku askush përveç nesh nuk e besonte se do ia dilnim! Shqiptarët na kanë bërë nderin më të madh që mund t’i bëhet njerëzve që kërkojnë votën e popullit për të mishëruar aspiratat, ëndrrat dhe shpresat e tyre!

Kjo fitore është përgjegjësia më e rëndë që mund të merrnim mbi shpatullat tona. Ka fituar Shqipëria që kërkon shtet, punë, mirëqenie kundër partive që kërkojnë tepsinë e pushtetit në kurriz të popullit e në dëm të shtetit!

Një bravo e madhe të gjithëve ju dhe gjithë njerëzve që u angazhuan në vijën e parë të betejës për Shqipërinë që duam.

Sot në orën 18:30 në sheshin Skënderbej, për përqafimin e këtij momenti historik, me të gjithë ata që duan dhe mund të na bashkohen nga Tirana e nga çdo qark Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë Rroftë Shqipëria”, shkruan Rama në “sms” për kandidatët për deputetë.