Derbi i Ligës së Dytë zhvillohet në Gjilan


Në bazë të ndeshjeve të zhvilluara këtë edicion dueli ndërmjet Bashkimit të Gjilanit dhe Ulpianës me plotë të drejtë konsiderohet si derbi i javës në Ligën e Dytë të futbollit në Kosovë.

Të konsoliduar mjaft mirë këtë sezonë dy skuadrat kërkojnë me të drejtë ngritjen në një rank më lartë të garave, mirëpo për të kaluar nëpër këtë pikë duhet së pari ti masin forcat në duelin mes tyre, i cili zhvillohet këtë vikend në Gjilan.

Eroll Jonuzi, kapiten i skuadrës gjilanase ka folur për Gazetën Sheshi, lidhur me duelin e së dielës përballë Ulpianës, në të cilën synojnë të vazhdojnë ecurinë e suksesshme të fitoreve tani e pesë javë më rradhë.

“Kemi një bilanc të qindpërqind në 5 ndeshjet e fundit me po aq fitore të realizuara dhe po shpresojmë të vazhdojmë kështu edhe në takimet e mbetura deri në fundin e sezonit. Këtë javë na pret një ndeshje mjaft e vështirë përballë Ulpianës, mirëpo si në çdo takim tjetër ne do të futemi për fitore”, theksoi Jonuzi.

Bashkimi ndodhet në pozitën e pestë me 30 pikë të tubuara, mirëpo ka dy ndeshje më pak të zhvilluara se skuadrat tjera, prandaj nëse fitohen ato objektivi për tu inkuadruar në Ligën e Parë është afër të arrihet.

“Kemi regjistruar rezultate mjaft të mira këtë sezonë falë një angazhimi të madh nga të gjithë futbollistët, trajnerit, kryetarit dhe kryesisë së klubit që na kanë qëndruar gjithnjë pranë. Kemi një skuadër të re me lojtarë që kryesisht vijnë nga qyteti jonë, janë të ri në moshë me një talent dhe potencial të jashtezakonëm. Mosha mesatare e skuadrës është 22 vjeç dhe në bazë të këtyre paraqitjeve mund të arrijmë shumë lehtë objektivin tonë që të futemi në Ligën e Parë”, përfundoi Jonuzi.

Dueli ndërmjet Bashkimit të Gjilanit dhe Ulpianës zhvillohet të dielen me fillim nga ora 15:00 tek stadiumi me bari sintetik afër varrezave të qytetit.

/Gazeta Sheshi/
derb