De Laurentiis: Do të ndërtoj një skuadër të madhe edhe pa Cavanin e Mazzarrin

loading...

images

loading...
Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis premton një skuadër në nivele të larta edhe nëse nga të kaltrit do të largohen elementë me peshë. Kreu i shoqërisë, largon ankthin nga tifozët sepse sipas tij, investimet te skuadra e Napolit nuk do të mungojnë as në të ardhmen për të ndërtuar një skuadër të madhe dhe të aftë për të konkurruar me më të fortët. “Kemi një detyrim ndaj qytetit. Edhe nëse Cavani e Mazzarri nuk do të jenë më pjesë e grupit ju premtoj se do të ndërtoj një skuadër të madhe”.

Pak fjalë dhe shumë zemra të ngrohura nga një njeri që asnjëherë nuk i ka mbyllur xhepat për Napolin e tij. Në vijim ai shkëput një mendim për të ardhmen e Cavanit, duke e pranuar se klauzola prej 70 milionë Eurosh mund të paguhet në të ardhmen nga skuadrat milionere të Europës. “Cavani do të qëndrojë sepse 70 milionë Euro mund t’i paguajnë vetëm dy skuadra. Ai si lojtar po tregohet një profesionist i vërtetë duke treguar se mbetet i lidhur me fanelën e Napolit edhe pse mund të tërhiqet nga skuadra të mëdha si Reali i Madridit apo Barcelona. Problemet personale të tij? Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të hyjmë në private të lojtarëve tanë. Cavani është një lojtar por njëkohësisht edhe njeri, prandaj ka edhe jetën private të tij për të cilën nuk mund të flas”.

Një tjetër çështje që po rreh si çekan në kokën e De Laurentiis është edhe e ardhmja e trajnerit Mazzarri, i cili nuk ka shfaqur ende një qëndrim të qartë. “Mazzarrin nuk e këmbej me askënd. E ardhmja e tij varet vetëm nga ai. Mazzarri mund ta ndryshojë presidentin me një tjetër presidenti, por unë nuk e ndryshoj atë me një tjetër trajner. Jetoj shumë mirë me praninë e tij prej shumë vitesh dhe nuk kam asnjë problem. Nëse është lodhur dhe kërkon të ndalet apo synon një tjetër eksperiencë, e vendos vetëm ai”.

loading...