Dashnorja ime u bë grua e shokut tim !

perjetim_1480183761-1378102


Sikur ende nuk mund të besoj me atë çka ka ndodhur mes meje dhe Arsimit, shokut tim më të afërt. Vërtet, është tronditëse. Thënë të drejtën, mua as që më ka shkuar në mend se njeriut gjatë jetës së tij i rastisin ndodhi, të cilat përjetohen aq rëndë, sepse i godasin si çekan në kokë. Jam shokuar kur kam marrë vesh se isha i ftuar në dasmën e shokut tim, i cili martohej me një vajzë të bukur me emrin Ermirë, me të cilën unë kisha qenë në lidhje tre vjet, shkruan për Portalin tonë “Kosovarja”, T. M.

Nuk doja t’u besoja syve të mi, por realiteti tashmë nuk ndryshohej: nusja me duvak të nusërisë, që kishte qenë dikur e dashura ime, ecte krah për krah me dhëndrin buzagaz, pikërisht me shokun tim më të mirë studentor, Arsimin. Banonim në një banesë njëdhomëshe në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë bashkë me Arsimin, sepse që të dy studionin Ekonomikun. Ai ishte nga Gjilani, ndërkaq unë nga Peja. Vendosëm të gjenim një banesë të përbashkët, meqë edhe ashtu takoheshim shpesh dhe ishim të pandashëm. Jeta jonë studentore, kryesisht, shkonte sipas një orari të përpiluar nga ne të dy: zgjoheshim aty rreth orës nëntë, pinim kafenë e mëngjesit, kapnim librat dhe lexonim deri në orën dymbëdhjetë, pastaj shkonim për të ngrënë bukë në mensë, dilnim pak andej kah “Santeja” dhe pastaj gjithë pasditen përgatiteshim për oraret e provimeve. Në mbrëmje ishim të rregullt aty ku bëhej tollovia rinore dhe, natyrisht, ia dolëm që brenda një kohe të shkurtër të krijonim një rreth tepër të madh shoqëror me femra. E kishim një të metë: nuk na rrihej me meshkuj dhe as që njihnim dikë prej tyre. Shumë shpejt njohëm vajza nga rrethe të ndryshme të Kosovës, sidomos ato që takonim në ligjërata, por edhe në oborre fakultetesh të tjera. Ishim mjaft komunikativ me femra dhe dinim sesi duhej lënë përshtypjet e para femrave, kështu që pas disa ditësh në derën e banesës sonë zunë të trokitnin disa nga ato vajza, kuptohet në mënyrë shoqërore, sepse edhe ne shkonim te ato, por më rrallë. E rëndësishme në këtë mes ishte se ne asnjëherë nuk e xhelozonim njëri-tjetrin, ndoshta as atëherë kur njëra nga shumë “shoqet” tona binte në dashuri me ndonjërin prej nesh. Na kishin zili femrat sesi e respektonim shoku-shokun, ndonëse disa syresh tentonin herë-herë qëllimisht të na përçanin, por pa sukses, sepse ne e respektonim njëri-tjetrin në çdo kohë. Lehtësia më e madhe për ne qëndronte në faktin se ne ia dinim “hujet” njëri-tjetrin, kështu që dinim të qëllonim aty ku dhemb në momentin e duhur. Im shok kur binte në dashuri – trullosej! Për fatin tonë më të mirë dhe për çudinë e shumëkujt, në provime ishim të mirë, sepse kur na mësohej na mësohej dhe kur donim dashuri, u binim numrave të telefonit, ose gjëja më e mirë ishte kur papritur zilja e derës sonë cingëronte. Cimeri dhe shoku im më i ngushtë, Arsimi, kishte një dobësi, të cilën unë e këshilloja ta përmirësonte: kur binte në dashuri të re, bëhej si i trullosur. Nuk i hahej, nuk i pihej, nuk i flihej dhe nuk i lexohej. Shpesh kur flisnim për martesë më thoshte: “Kur e dua dikë, edhe prostitutë po të jetë unë do ta marrë për grua”. Këtu e kundërshtoja, edhe pse nganjëherë më dukej se ai po tallej me mua, sepse e njihja se herë pas herë ndryshe fliste e ndryshe mendonte. Ai kishte femra më shumë se unë, sepse dukej më tërheqës se unë, por jo vetëm kjo ishte karakteristikë pozitive e tij. Xhepat i kishte më të mbushur se unë, një “Golf 3” dy vëllezërit e tij të punësuar në Zvicër ia kishin dërguar për shkak të suksesit të treguar në provime dhe, natyrisht, ishte më i pasur dhe më i veshur se unë. Femrat që i ulte në tavolinë për herë të parë për t’u njohur, i bënte për vete menjëherë, ndërkaq brenda javësh arrinte t’i mbyllte në banesë. Ishim marrë vesh se, meqë banesa jonë kishte një dhomë të vetme me kuzhinë dhe banjë, atij që i vinte femra, tjetri duhej të dilte jashtë edhe po të binte shi i rrëmbyeshëm, përveç ndonjë rasti specifik. Mirëpo, një ditë, kur pothuajse na erdhën në të njëjtën kohë të dashurat tona, u zumë keq. Ai dëshironte të dilte me të dashurën e vet jashtë për t’ma mundësuar mua të rrija brenda, por unë nuk isha dakord me të. E luta që ai të rrinte, sepse Shpresa,e dashura e tij, kishte ardhur e para, por ai nuk dëshironte në asnjë mënyrë. Atëherë, meqë ai kishte dëshirë që unë të vendosja në këso rastesh, propozova që të blinim diçka dhe të rrinim aty ose të shkonim në Prizren në shëtitje. Ashtu edhe bëmë: hipëm në veturën e Arsimit unë dhe Teuta prapa, kurse ata të dy përpara. Ishte e para herë që na kishte ndodhur të dashurat tona të na vinin pa paralajmërim, ndonëse ato kurrë më parë nuk e kishin njohur njëra-tjetrën, por na erdhi mirë që ato u miqësuan.
Mirëpo, diçka tjetër kishte midis nesh që na ngacmonte: nuk mund të ishim gjatë me të dashurat tona, kështu bëmë njëlloj marrëveshje që kur të kishte në plan njëri prej nesh ndarjen me të dashurën, t’i tregonte tjetrit, në mënyrë që, njëkohësisht, të ndaheshim prej tyre dhe po në të njëjtën kohë të gjenim femra të tjera, për të cilat nuk e kishim asnjëherë të vështirë. Thjesht, ishim të disponuar për të dashuruar edhe atëherë kur ndiheshim të ngopur ose të mllefosur nga dashuria dhe femrat. E përsëris edhe një herë: shoku im Arsimi, ishte në gjendje që kur të ishte në disponim të plotë, të përvetësonte edhe atë femrën më “hijerëndë”, për të cilën mund të “kalleshin” shumë meshkuj. Ishte i pashëm dhe përveç kësaj kishte disa veti instinktive, me të cilat i “përralloste” femrat më të bukura. Çdo femër që ai ka pasur ishte më bukuroshe se tjetra, por krahas tij, normalisht, më binin në dorë edhe mua vajza të bukura. Në shumicën e rasteve, femrat që unë i kam pasur, i kisha njohur përmes tij konkretisht ose nëpërmjet një të dashure të tij dhe kjo mua më fasciononte. Femrat që i linte im shok i merrja unë Unë gëzohesha më së shumti kur im shok e linte një femër “të vjetër” dhe e zinte një “të re”, ngaqë atëherë e dija se edhe për mua “dilte” diçka. E dashura e tij ngandonjëherë dilte me një grup shoqesh dhe ne nga një distancë i shikonim secilën prej tyre.
“Vetëm tregomë cila po të pëlqen ty dhe ti flejë zbathur!”, më thoshte. Kisha raste kur nuk i zija besë, por në ditën tjetër më bënte të ditur se duhej të vishesha mirë dhe të isha në formë të mirë nëse dëshiroja femrën që e kisha pikasur. Gjithmonë më mësonte se në fillim, patjetër, duhej gënjyer femrën, për shembull, duke mos ia precizuar adresën e saktë të vendlindjes, duhej premtuar për lidhje serioze dhe, po ashtu, duhej të zmadhoheshin gjërat që kanë të bëjnë me ty derisa vajza të bie në grackë. “Kurrë mos u turpëro përpara femrave”, më përsërite ai nëse doja që, vërtet, të isha një Kazanovë. E dija se ai kishte përvojë të madhe me femra, meqë kishte pasur një numër të konsiderueshëm syresh, por habitesha sesi me asnjërën prej tyre nuk i kishte dalë edhe një problem i vogël, siç ndodhte me mua. Sa më përket mua, disa herë kisha dyshuar se disa vajza kishin mbetur shtatzënë me mua ose do të më hakmerreshin keq dhe unë, natyrisht, dikujt ia kisha, vërtet, frikën, meqë baballarët e vëllezërit e tyre ishin emra të njohur… Arsimi shkoi, kurse unë vazhdova me femra të tjera Erdhi një kohë kur unë po ngecja në provimet e fundit, ndërkaq Arsimi do të diplomonte në afat rekord. Tërë ngecja ime konsistonte në faktin se tashmë po ia kaloja Arsimit me “dashuriçka”, të cilat shumë më pengonin në procesin e studimeve. Qëkur ai u kthye në vendlindje pas diplomimit, unë qëndrova edhe një vit në Prishtinë, pa u takuar asnjëherë me shokun tim, por duke njohur edhe tri a katër femra të tjera. Pas nja dy vitesh, kur po hyja në shtëpi, më tregojnë se Arsimi më kishte thirrur në telefon për të parën herë dhe më kishte ftuar në dasmën e tij asaj të diele. M’u duk diçka e pabesueshme dhe në të njëjtën kohë gjithnjë e më shumë inatosesha në të që nuk më ishte lajmëruar asnjëherë dhe as që e kishte dertuar me mua ndonjë brengë të fatit të tij. Pavarësisht nga kjo, të dielën herët në mëngjes ia mora veturën babait dhe u nisa për në dasmën e tij, pa ditur saktësisht se me kë do të martohej shoku im i zemrës, me të cilin dikur ndanim bashkërisht të mirat dhe të këqijat e jetës. Kur arrita atje, ai ndodhej në oborr, më përqafoi dhe ia urova martesën. Ndërkohë, e thirrën për një punë të ngutshme dhe më nuk e pashë deri vonë. Rrija në një kënd të sallonit të madh me burra, të rinj e fëmijë derisa po përtypja llokumet e para dhe pastaj çaj dhe drekën e këndshme. Dikur e pyeta një djalë të moshës sime që shërbente me një tabaka në duar se nga e kishte nusen shoku im më i ngushtë. “Nusja e tij është nga Prishtina”, më tha ai. “Po si e ka emrin nusja, a e di?”, u interesova dhe djaloshi më tha duke mbledhur gotat e çajit: “Luljetë”. Në çast mendova se a kishte pasur aso kohe një të dashur me një emër të tillë, por sakaq e dija se vetëm njëra prej dashnoreve të mia kishte emrin Ermirë dhe ishte nga Prishtina. Megjithatë, tmerri i asaj dite nuk mund të përshkruhet me fjalë, sepse ky tmerr mund të ketë edhe një kuptim tejet më të madh për mua, në radhë të parë për shokun tim të ngushtë. Nuk mund ta fshihja gjithë atë tronditje pa përmasë, që tashmë ishte bërë realitet: shoku im më i ngushtë martohej pikërisht me femrën të cilën unë kushedi sa herë e kisha pasur në shtrat! Nuk doja në asnjë mënyrë të besoja se dasma e shokut tim ishte e vërtetë, por një ëndërr… Mirëpo, nusen e veshur me të bardha, që ishte ish-e dashura ime, tashmë po e ndihmonte të zbriste nga vetura e zbukuruar me lule shumëngjyrëshe, dhëndri që ishte shoku im më i ngushtë. Nusja, vërtet, dukej bukur, andaj të gjithëve u qeshte fytyra nga gëzimi, madje edhe shokut tim të ngushtë, por askujt prej atyre që ia thoshin këngës dhe të tjerëve që ishin mbledhur rreth e rrotull nuk e dinin se aty, në mesin e tyre, ishte ish-dashnori i saj…T. M