Dalin për peshkim, zhduken në mes të detit 25-vjeçarët

loading...

fatmir-ismaili-dhe-gezim-bashillari-300x198

loading...
Zhduken në det dy peshkatarë amatorë. Prej orës 04:30 të mëngjesit të djeshëm ata ndodhen në rrezik në mes të ujërave dhe dallgëve, pa asnjë shenjë të tyre apo varkës me të cilën kishin dalë të peshkonin. Kërkimet me helikopterë dhe me mjete detare dështuan deri në mbrëmjen e vonë, ndërsa dy anije kanë vazhduar dhe gjatë natës kontrollin përreth Gjirit të Vlorës, por pa rënë në gjurmë. Familjarë e dy shokëve 25-vjeçarë, Fatmir Ismaili dhe Gëzim Bashllari, akuzuan dje për ndërhyrje me vonesë nga ana e strukturave, ndonëse kjo është mohuar nga policia kufitare. Dy djemtë mësohet se kanë dalë nga banesat e tyre në Vlorë rreth orës 02:30, me një det jo shumë të trazuar. Rreth 30 minuta më pas supozohet se ata kanë qenë në det të hapur me një varkë të vogël për të peshkuar. Por, rreth orës 04:30, familjarët pohojnë se janë njoftuar nga djemtë e tyre se ndodheshin në rrezik dhe se rryma detare po i çonte ata më në thellësi. “Ndodhemi diku në mes të Sazanit dhe grykëderdhjes së Semanit. Jemi në rrezik, varka po na mbytet, pasi janë fikur motorët”. Kjo ka qenë telefonata alarmante e të rinjve rreth orës 11:00, ndonëse ata kishin disa orë që kishin dhënë sinjalin SOS. Më pas, Fatmir Ismaili ka mundur të lidhet me të vëllain rreth orës 13:15, por telefonata është ndërprerë shumë shpejt pa arritur të japë koordinatat e radhës. “Më tha se janë përplasur dhe është çarë pjesa e poshtme e gomones. Kërkimet të bëhen në det të hapur se rryma andej i ka çuar”, u shpreh ai. Familjarët e të rinjve pohojnë se kanë njoftuar policinë rreth orës 05:00, ndoshta edhe më shpejt dhe se ndërhyrja në det ka nisur vetëm pas orës 08:00. Ndërkohë që policia në njoftimin e saj bëri të ditur se “rreth orës 06:00 në Sallën Operative të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin është kërkuar ndihmë nga Fatmir Ismaili. Strukturat e saj, bashkë me rojën bregdetare, si dhe Shërbimet e Guardia di Finanza kanë nisur një operacion të përbashkët kërkim-shpëtimi në zonën ku mendohet se kanë qenë personat në momentin e njoftimit”.  Në telefonatën e fundit dhënë familjarëve, peshkatarët u kanë pohuar se deti po i tërhiqte më në thellësi dhe motori i varkës kishte pësuar defekt. Në sajë të koordinatave të dhëna prej tyre, ka nisur kërkimi në zonën ku mendohej se ata gjendeshin në mëshirë të dallgëve, të cilat arrinin në më shumë se 5 ballë. Pas tri orësh kërkime, është kërkuar edhe ndihma e mjeteve të Policisë Kufitare të Durrësit. Katër mjete detare janë vënë në kërkim, por dështimi i tyre dhe presioni nga ana e familjarëve që prisnin në ankth ka bërë që Ministria e Mbrojtjes të vërë në dispozicion dy helikopterë. Ata kanë patrulluar nga ajri të gjithë hapësirën detare ku mendohej se mund të gjendej varka me peshkatarët. Operacioni i kërkimit u fokusua në orët e pasdites në një hapësirë të gjirit të Vlorës, diku ndërmjet Plazhit Publik, Portit dhe Petroliferës. Drejtori i Qendrës Ndëroperacionale Institucionale Detare, Shefqet Bruka, u shpreh mbrëmë se operacioni i kërkim-shpëtimit po zhvillohet në një perimetër më të madh se 3.5 milje, sipas lokalizimit të zonës nga kompanitë celulare. Në mbrëmje helikopterët janë kthyer pas, duke bërë që kërkimet t’i vazhdojnë vetëm dy anije.

loading...