Dafina Zeqiri, mbretëresha e ‘showbiz’-it

loading...

dafinazeqiri2-224x300

loading...
A e meriton ajo titullin mbretëresha e ‘showbiz’-it për 2012-ën?! Nëse doni të dini mendimin tim, absolutisht po. Si pjesë e medias rozë, më duhet që çdo javë të shfletoj atë që kolegët e mi kanë shkruar nëpër mediat respektive dhe më besoni, nuk ka pasur asnjë fundjavë të këtij viti gjatë së cilës unë të mos e shihja emrin e Dafina Zeqirit nëpër suplemente apo gazeta të fundjavës. Ndarja nga Krenari, lidhja me Ledrin, kopjimi i Rihannës, deklarata e të atit që kishte 20 vite pa e parë, flirtet…, kanë qenë vetëm disa nga historitë për të cilat u përfol. Me këtë arsyetim i bëra ftesën për këtë intervistë ekskluzive, të cilën ajo e pranoi plot dashamirësi. “Më vjen shumë mirë për këtë përcaktim që po më bëni. Nuk vij shpesh në Tiranë, por kënaqem sa herë vij, sepse më presin vërtet shumë mirë. Kështu që, besoj viti 2013 do të më gjejë më shpesh në Tiranë”, – tha Dafina në fund të bisedës që bëmë bashkë. Një bisedë kokë më kokë, gjatë së cilës folëm për shumë nga thashethemet që qarkulluan për të gjatë këtij viti. Ka ardhur në Tiranë, pas ftesës që i kanë bërë organizatorët e një spektakli të njohur në Shqipëri dhe siç bëjnë divat botërore në kësi rastesh, ka marrë me vete edhe një staf profesionistësh, kameraman, parukier, bodyguard e menaxher…

Pse gjithë ky ekip me vete? Ke marrë shembullin e divave të huaja?
Nuk do me thënë që punoj si këngëtaret e huaja. Fakti që vij me stafin tim, tregon që punoj në mënyrë profesionale. Vetëm kaq.
Si ka qenë 2012-ta për ty?
Ka qenë një vit shumë dinamik për mua (qesh). Me të vërtetë ka qenë një vit më i komplikuar, në krahasim me vitet e shkuara, por gjithsesi me rëndësi është që kanë mbizotëruar momentet e bukura. Kështu që, mund të them se kam kaluar shumë mirë.
Nuk e di në ke informacion, por gjatë këtij viti ke qenë çdo javë në gazetat e fundjavës…
Po pra, shumë qejf keni të flisni për mua (qesh).
Si ndihesh kur e sheh veten pjesë të thashethemeve, lajmeve, që herë janë të vërteta e herë jo?
Me thënë të drejtën, nuk kam kohë për të lexuar thashetheme, sepse jam shumë e zënë me punët e mia, por më tregojnë të afërmit dhe shoqëria.
Cili ka qenë thashethemi i fundit që të kanë treguar?
Ja p.sh.: Pëllumbin e kam djalin e dajës, është pjesë e ekipit tim, dhe më treguan që një gazetë kishte shkruar që jam në një lidhje me të. Këto janë thashetheme shumë absurde për mua. Nuk i marr shumë seriozisht këto shkrime, sepse e di që për ta kjo është bukë, është puna e tyre, plus që thashethemet janë pjesë e karrierës, pjesë e kësaj bote. Vetëm ndonjëherë mund të ndodhë që e teprojnë, po nuk i jap rëndësi…
S’paske dëgjuar gjë hiç…Unë kam një tjetër emër për të ta propozuar. Albin Gashi po përflitet së fundmi si i dashuri yt.
Përsëri s’ka lidhje dashurie në këtë mes. E kam mik shumë të mirë, por asgjë më shumë.
Dafina, duam ta dimë, je apo jo në një lidhje dashurie?
Jo, jam singëll.
Të jemi të sigurtë për këtë?
100%.
Me Ledrin ka përfunduar përgjithmonë?
Po.
Çfarë ka mbetur nga ajo histori?
Respekti për njëri-tjetrin.
D.m.th. tani jemi shokë?
Po.
Atëherë, pse pjesa e Ledrit është hequr nga kënga “Tonight”? Në koncertin e zhvilluar tek Pedonalja – Tiranë me rastin e 100-vjetorit ti këndove një version të ri të këngës, ku këndoje vetëm vetë…
Kënga “Tonight” u punua prej fillimit, vetëm për mua. Këngën e kam punuar bashkë me Cekicin, tekstin e kam shkruar vetë dhe ajo ka qenë që në gjenezë një këngë për mua. Ledri ka hyrë në këngë më vonë, si remix faktikisht. Kështu që, kënga ka pasur dy versione. Normal që kur e këndoj unë këngën time, e këndoj vetë, sepse Ledri nuk është me mua në skenë.
Sjellja jote në backstage-n e këtij koncerti i revoltoi shumë gazetarët…
A quhet backstage ai?! (qesh). Me thënë të drejtën m’u prish pak disponimi, për shkak se organizimi nuk ishte shumë profesional. Unë jam shumë njeri i qetë, kam qejf të gëzoj, të kërcej, të kënaqem, por kur njerëzit me të cilët bashkëpunoj nuk janë profesionalë dhe nuk i bëjnë siç duhet punët e veta, normal që bëhesh nervoze. Kështu që, kam qenë pak me nerva aty për shkak të organizimit, asgjë tjetër.
Të akuzojnë se kopjon shumë Rihannën; është e vërtetë që inspirohesh prej saj?
Ai që më inspiron ka vdekur, por gjithsesi vazhdon të më inspirojë. I kam dëgjuar edhe këto lajme, por nuk kam asnjë koment për të bërë. Më pëlqen shumë Rihanna, sikundër më pëlqejnë shumë artiste të tjerë ndërkombëtare. Së fundmi, pashë që kishin quajtur kopje edhe një foto timen me gisht të mesit. Pse, vetëm Rihanna ka gisht të mesit?! (qesh).
Cilat janë planet e tua për vitin 2013?
Kam shumë plane, shumë projekte. Jam në përgatitje të albumit, i cili do të dalë në 2013-ën. Kënga e parë e tij do të prezantohet në mbrëmjen festive të 31 dhjetorit. Klipi do të dalë disa ditë më vonë. Ka për të pasur si zakonisht surpriza gjithmonë, javë për javë.
Si ndihesh kur vjen në Tiranë?
Shumë mirë.
Dikur ke qenë pjesëmarrëse në festivalet që organizoheshin në Shqipëri. Pse je tërhequr tani?
Është e vërtetë, kam marrë pjesë në “Top Fest”, në “Kënga Magjike”, por jam tërhequr, sepse jam shumë e angazhuar me koncerte brenda dhe jashtë vendit.

loading...