Çudira shqiptare: Vozit Ferrari pa patentë shoferi

Kishte para për të blerë një makinë Ferrari, që vlen më shumë se qindra mijëra euro, por përtonte të shkonte në një kurs për të marrë patentën!

Kjo është historia e përmbledhur e një qytetari 30 vjeçar nga Tirana, pronar i një makine luksoze Ferrari, i cili mësohet se është arrestuar në orët e vona të së shtunës duke drejtuar mjetin e tij pa patentë.

Burime nga Policia bëjnë me dije për mediat shqiptare se fillimisht qytetari është ndaluar për kontroll rutinë duke marrë parasysh edhe orën e vonë të natës në të cilën ai udhëtonte, kur forcat e rendit janë përballur me faktin se personi në fjalë nuk kishte leje drejtimi për të ngarë asnjë automjet.

Personi në fjalë do të procedohet dhe mësohet se sot është dhënë masa e sigurisë për ndjekjen e çështjes deri në përfundimin e hetimeve nga Policia. Ai rrezikon të kryejë deri në 10 ditë burg për drejtim të mjetit pa patentë.