Ç’po ndodh në Top Channel? Ortek i pandërprerë largimesh


Largimet nga televizioni më i madh në vend nuk kanë të rreshtur.
Vetëm ditët e fundit mediat kanë njoftuar dorëheqjen e regjisorit të emisioneve kryesore të këtij televizioni Bujar Kokonozi dhe atë të autores së programit “The Voice” Zefina Hasani. Por këto nuk janë të vetmet.

Që prej një viti kur Top Channel është përfshirë në një luftë vllavrasëse mes pronarëve (Familja e Dritan Hoxhës- kundër aksionerëve ish miq të tij) hemoragjia nuk përfundon. Duket se viktima të kësaj lufte mes marrjes së pushtetit nga familjarët janë edhe disa nga largimet e fundit.

Kështu Zefina Hasni është larguar pasi ajo nuk ka pranuar që në skenën e Voice të ngjitet si i ftuar, Ledri Vulaj. “s’do mund të isha dakord për aq kohë sa The Voice e shoh ndryshe. Dhe problemi s’ ka qenë veç ardhja apo jo e Ledrit, por dhe mos respektimi i sistemit dhe rregullave të punës. Sot, s’më lejuan të isha më në spektakel dhe pashë që kishin hequr dhe emrin nga titrat kur ndërkohë të paktën dhe kjo natë ishte edhe puna ime” ka deklaruar Hasani.

Por në fakt ajo ka harruar se Ledri Vulaj është miku i ngushtë i një prej trashigimtareve, Lori Hoxha me të cilin ka kaluar pushimet në Maldive. Njëkohësisht ledri është edhe i dashuri i vajzës së gjykatëses Zeqine Sollakue cila do të gjykojë në apel çështjen e sherrit mes pronarëve të Top Channel.

Një tjetër viktimë e “familjes” me sa duket do të jetë edhe drejtoresha historike e programacionit Vjollca Dedei. Ajo është shmangur nga panairi i përvitshëm i Kanës, ku TV blejnë prodhimet e sezonit të ardhshëm. Në vend të saj atu do të shkojnë Sara Hoxha me Ledionin sepse trashëgimtarja e vogël Sara, po përgatitet për këtë post.

Cunamit nuk i ka shpëtuar as redaksia e lajmeve. Për ish drejtorin Bledar Zaganori nuk ka më vend aty. “Me ngritje” është larguar edhe Monika Stafa e cila ka gjetur punë pranë AMA-s pasi ka kontaktuar disa media të tjera. Largimi i saj erdhi pas atyre të gazetareve të redaksisë së lajmeve Rovena Moçka në ministrinë e Blendi Klosit dhe Klodiana Kapo. Një largim i bujshëm qe edhe ai i gazetares me përvojë, korrespondentes nga Brukseli, Arta Tozaj së cilës i patën ulur pagën dhe i ndërhynin në kronika.

Intensiteti i këtyre “spastrimeve” u shtua që pas shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm Enkel Joti me një vendim të bordit të aksionerëve në 8 dhjetor. Pasi vendin e saj e zuri Vjollca Hoxha, aksioneria drejtuese u përball dhe me vështirësitë e para financiare. Flitet se largime të reja mund të ketë edhe nga trupa e baletit e cila pritet ti nënshtrohet uljes së pagave dhe shkurtimeve të personelit, raporton Lapsi.al

Më parë, në fillim të sezonit me bujë u pritën mbylljet e emisioneve tradicionale si “Shqip” i Rudina Xhungës dhe “Pop Channel” i Sokol Shametit.

Të gjithë kësaj furtune i priu largimi i parë ai i zv.drejtorit të përgjithshëm Skerdi Drenova, i cili prej gati një dekade kishte udhëhequr produksione si: Tjetri, Master Chef, Big Brother, E diell, Pasdite në Top Channel, 100 Milionë, The Voice of Albania etj
c